Vendosni fjalën kyçe....

Pas 2 dekadash, Angelina Jolie jep dorëheqjen si e dërguara e OKB-së për refugjatët


Aktorja amerikane Angelina Jolie, po largohet nga roli i saj si ambasadore e agjencisë së OKB-së për UNHCR, pas më shumë se 20 vitesh.

“Unë besoj në shumë gjëra që bën OKB-ja, veçanërisht jetët që shpëton përmes ndihmës emergjente.”- tha 47-vjeçarja sipas BBC-së.

Dhe shtoi: “Unë do të punoj tani me organizata të udhëhequra nga njerëz të prekur më drejtpërdrejt nga konflikti, që u japin zë më shumë.”

UNHCR tha se Jolie ishte një nga avokatet më me ndikim të të drejtave të refugjatëve.

Në një postim në faqen e saj në Instagram, ylli i Hollywood shkroi: “Pas më shumë se 20 vitesh, sot po largohem nga puna ime me agjencinë e OKB-së për refugjatët. Refugjatët janë njerëzit që i admiroj më shumë në botë dhe jam e përkushtuar të punoj me ta për pjesën tjetër të jetës sime”.

Por Jolie nuk dha detaje rreth organizatave me të cilat po planifikonte të punonte.

Ndërkohë, UNHCR tha në një deklaratë se Angelina Jolie do të “angazhohet në një grup më të gjerë çështjesh humanitare dhe të të drejtave të njeriut”.

Në një deklaratë, agjencia e refugjatëve tha se “Jolie ka punuar pa u lodhur, duke kryer më shumë se 60 misione në terren për të dëshmuar historitë e vuajtjeve, si dhe shpresën dhe qëndrueshmërinë”.

Muajt e fundit, Jolie ka takuar njerëz të zhvendosur në Ukrainën e shkatërruar nga lufta, Jemen dhe gjithashtu Burkina Faso.