Vendosni fjalën kyçe....

Stoqet ushtarake të BE-së janë ‘shteruar’ – Borrell


Anëtarët e BE-së duhet të derdhin më shumë para për të rritur aftësitë e tyre ushtarake në mënyrë që të sigurohen se furnizimi i armëve do vazhdojë ‘derisa Ukraina të ketë përparësi’ ndaj Rusisë, ka thënë shefi i politikës së jashtme të bllokut, Josep Borrell.

Ai pranoi se përgatitja e pamjaftueshme më herët ka bërë që rezervat e shteteve anëtare të zbrazen.

“Ne i kemi dhënë armë Ukrainës, por duke vepruar kështu, ne kuptuam se rezervat tona ushtarake janë varfëruar.” – shkroi ai në një postim në rrjetet sociale të dielën.

“Ne duhet të furnizojmë Ukrainën me armë derisa të jetë e nevojshme, derisa ajo të mbizotërojë.”

Gjendja ‘ka qenë një thirrje zgjimi për të gjithë ne lidhur me aftësitë tona ushtarake’, tha ai, duke përsëritur atë që tha një javë më parë se BE-së i mungojnë aftësitë e mbrojtjes.

Borrell vlerësoi faktin që shpenzimet e BE-së për mbrojtjen i kaluan 200 miliardë euro gjatë vitit 2021, për herë të parë në histori.

Deri tani BE-ja i ka dhënë mbi 11 miliardë dollarë ndihmë ushtarake Ukrainës për vitin 2022, sipas statistikave të mbledhura nga Instituti Kiel për Ekonominë Botërore.

Britania e Madhe e Kanadaja dhanë 5.5 miliardë dollarë, ndërsa dhuruesi kryesor, SHBA-ja, dërgoi armë me vlerë të paktën 22.8 miliardë dollarë.