Vendosni fjalën kyçe....

“Katar Gate”- Greqia ngrin asetet e nënpresidentes së arrestuar të PE-së


Greqia ka urdhëruar ngrirjen e aseteve për nënpresidenten e Parlamentit Europian Eva Kaili, e cila sëbashku me bashkëshortin e saj Francesco Giorgi, dhe dy zyrtarë u arrestuan në kuadër të hetimeve të agjentëve të Zyrës Qendrore për Luftën ndaj Korrupsionit në Bruksel.

Ata akuzohen se janë korruptuar dhe kanë marrë ryshfete nga Katari, me qëllim që të lobonin që ky vend të fitonte të drejtën e organizimit të Kupës së Botës.

Gazeta greke Protothema raporton se të hënën në mëngjes, kreu i Autoritetit Kundër Pastrimit të Parave, zëvendësprokurori nderi i Gjykatës së Lartë, Charalambos Vourliotis, urdhëroi ngrirjen e aseteve të zëvendëspresidentes së PE-së, anëtarëve të familjes dhe bashkëshortit të saj.

Sipas informacioneve, Eva Kaili dhe bashkëshorti i saj kishin një kompani pronash në Greqi. Sipas deklaratës së pasurisë së saj ish-eurodeputetja e PASOK-ut, ka depozita të konsiderueshme që arrijnë në 460 mijë euro, prej të cilave rreth 400 mijë euro janë në bankën belge KBC. Pjesa tjetër është në llogari të tjera në bankat greke. Gjithashtu ajo ka deklaruar  një apartament 55 m2 në Bruksel të cilin e ka blerë në vitin 2015, si dhe tre apartamente në Selanik, në lagjen Psikiko në kryeqytet si dhe një në qendër të Athinës. Po ashtu ka edhe tre makina.

Eva Kaili qëndron e paraburgosur përkohësisht për të tretën natë radhazi, në burgun e grave të Saint-Gilles. Kaili po përballet me akuza të rënda për korrupsion, pastrim parash dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale. Sipas informacioneve të transmetuara nga stacioni televiziv Star, eurodeputetes greke iu gjetën gjithsej 160 mijë euro cash në çanta, përfshirë paratë e gjetura në posedim të babait të saj, Alexandros Kailis. Ky i fundit është punonjës i rajonit të Maqedonisë Qendrore, i cili ditët e fundit ishte në pushimet para pensionit, pasi pritet të dalë në pension në fund të vitit.

Përveç babait të eurodeputetes, në ditët në vijim pritet të thirret edhe motra e saj, Madalena, e cila është këshilltare për politikat dhe legjislacionin europian. Gjithashtu nuk përjashtohet që të ftohen edhe persona të tjerë nga rrethi i ngushtë i eurodeputetes, pasi kjo është një taktikë e rregullt e autoriteteve belge.

Sipas njoftimeve të Prokurorisë belge, eurodeputetja greke do të qëndrojë deri në pesë ditë në burgun e grave dhe më pas do të dalë sërish para autoriteteve, të cilat do të vendosin përfundimisht nëse do të qëndrojë në paraburgim deri në fillim të gjykimit të çështjes apo jo.