Vendosni fjalën kyçe....

Rama merr ekspertin e Merkelit si këshilltar për ekonominë e financat


Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se këshilltari i tij i ri për ekonominë e financat do të jetë Lars-Hendrik Röller, eksperti që ka këshilluar edhe ish-kancelaren gjermane Angela Merkel.

Në një postim në rrjetet sociale, Rama shprehet se ka bërë dy ditë intensive diskutimesh me ekspertin gjerman.

 “Kënaqësi e privilegj i veçantë që na bashkohet në rrugën tonë, si këshilltar i kryeministrisë për ekonominë e financat, Lars-Hendrik Röller, me të cilin patëm dy ditë intensive diskutimesh shumë të dobishme.

***Lars-Hendrik Röller drejtoi politikat ekonomike dhe financiare të Kancelerisë Gjermane nga viti 2011 e deri në pranverën e këtij viti, duke mbuluar për një dekadë edhe rolin e Kryekëshilltarit Ekonomik të kandelares Angela Merkel. Në këtë rol drejtoi ndër të tjera edhe ekipin e negociatorëve gjermanë në forumet G7 dhe G20.

Prej disa muajsh ai ka marrë postin e Drejtorit të Bordit të Investimeve të BlackRock-ut, kolosi multinacional me qendër në Shtetet e Bashkuara, që menaxhon fondin më të madh në botë me rreth 10 trilionë USD.”- shkruan Rama duke ndarë një foto me Lars-Hendrik Röller, i cili tashmë do të jetë këshilltari i tij.

Kush është Lars-Hendrik Röller

Lars-Hendrik Röller është një ekonomist gjerman që shërbeu si Drejtor i Përgjithshëm për Politikat Ekonomike dhe Financiare në Kancelarinë Gjermane nga viti 2011 deri në 2022, një pozicion që e bëri atë më pas shefin ekonomik të kancelares Angela Merkel.

Në këtë rol, ai ndër të tjera drejtoi dhe ekipin negociator të Gjermanisë në takimet e G7 dhe G20 të kancelarisë së Merkelit.

Ai më parë ishte president i Shkollës Evropiane të Menaxhimit dhe Teknologjisë (ESMT) në Berlin. Në vitin 2002, atij iu dha çmimi Gossen si mirënjohje për kontributin e tij në ekonominë industriale empirike.

Prej pak muajsh, Lars-Hendrik Röller ka marrë postin e Drejtorit të Bordit të Investimeve të BlackRock-ut, një kompani amerikane e investimeve shumëkombëshe me bazë në qytetin e Nju Jorkut.

Black Rock konsiderohet si menaxheri më i madh i aseteve në botë, me 10 trilion dollarë asete që nga janari 2022. Kompania operon globalisht me 70 zyra në 30 vende dhe klientë në 100 vende.