Vendosni fjalën kyçe....

OSBE reagon për sulmin ndaj Berishës: Jemi të trishtuar për incidentin


Prezenca e OSBE në Shqipëri ka reaguar lidhur me zhvillimet e sotme në Tiranë.

Në një postim, OSBE shprehet se ndjen trishtim për incidentin në protestën e opozitës ku u godit me grusht nga një person kryetari i PD-së, Sali Berisha.

“Urime Shqipërisë për mbajtjen e suksesshme të samitit BE-Ballkan Perëndimor dhe për operacionin e madh të sigurisë që e shoqëroi. Jemi të trishtuar, megjithatë, për incidentin gjatë protestës së opozitës. Liria e tubimit është një e mirë themelore e demokracisë. U urojmë të lënduarve shërim të shpejtë dhe u bëjmë thirrje të gjithëve të shmangin spekulimet dhe vetëdrejtësinë ndërkohë që hetimet vijojnë.“- thuhet në njoftim.

Episodi i rëndë ndodhi teksa kreu i PD-së Berisha po marshonte me kreun e PL-së Ilir Meta e qytetarë të shumtë në bulevardin para ish-Hotel Dajtit.

Lidhur me sulmin ndaj tij, kreu i PD-së Berisha akuzoi kryeministrin Rama, ministrin e Brendshëm Çuçi e shefin e Agjencisë për Mbikëqyrjen Policore Ardi Veliu se janë ideatorët, orkestruesit dhe organizatorët e sulmit ndaj tij në protestë.

Ai tha se sulmuesi 31-vjeçar Gert Shehu është agjent i Policisë Kriminale ndërsa tregoi një dokument mjekësor të shpërndarë në media, sipas të cili agresori vuante nga çregullime psikike.