Vendosni fjalën kyçe....

Debate në Kuvend për traun me pagesë në Karavasta, Kumbaro: Më thirrët në interpelancë “urgjente” për 50 lekë


Debate në Interpelancën e sotme të kërkuar nga deputetja e PD-së, Ilda Dhori me ministren e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro.

Deputetja Dhori ngriti shqetësimin se qytetarët po taksohen pa të drejtë lidhur me tarifën e vendosur në hyrjen e Parkut të Divjakës.

Por ministrja Kumbaro e ironizoi atë duke e konsideruar të panevojshme thirrjen e një “interpelance urgjente” vetëm për një tarifë 50 lekëshe.

“Jam këtu për një interpelancë ‘urgjente’ dhe arsyeja është një monedhë 50 lekëshe. Çdo gjë mund të bëhet me 50 lekëshe. Me 5 veta çmimi është 150 lekë, d.m.th. 30 lekë për person. Dhe shifra reduktohet në bazë të personave që janë, pra sa më shumë persona aq më pak paguajnë. Nëse mendoni se çmimet i shpik unë, gaboheni.

Ju keni bërë edhe një kërkesë padi gjykatë për këtë punë dhe sot Gjykata e ka rrëzuar, do ishte në nderin tuaj të tërhiqeni por kthehemi në VKM. E gëzojnë Divjakën dhe mendojnë se mbahen me frymën e shenjtë. Të gjithë ata që kemi parë që bërtasin se po privatizohet, janë mjeranë. Vetëm ju zonja Dhori e dini pse i thoni këto broçkulla këtu! Ju e dini mirë që janë broçkulla.”- tha Kumbaro.

Ajo me ironi i la disa monedha në foltore për deputeten, për të treguar sa e papërfillshme është kjo tarifë.

Dhori u kundërpërgjigj duke e konsideruar këtë tallje.

“Besoj se e keni kuptuar sesa e turpshme është për një ministre të tallet me qytetarët këtu që ka lënë monedha. Ktheja ministres, se ndërkohe që bëjnë propagandë për pensionistët, thonë 50 lekë është shumë pak. Se vë në dyshim që është shumë pak, por për atë pensionistin që pret të vizitojë ajrin e Divjakës na qenka shumë. Është e tmerrshme se ku ka arritur arroganca e politikanë. S’po flasim për xhepat tuaj të majmë, flasim për çështje dinjiteti, s’ka pse ka një taksë për oksigjenin. Recituat shumë mirë dhe tregoni nivelin tuaj të informimit. S’flitet për qindarkat zonjë.”- tha deputetja demokrate.