Vendosni fjalën kyçe....

Berisha: PD u hap, shqiptarët nuk kanë asnjë ide ç’ndodh brenda bodrumit PS-së


Kryetari i PD-së Sali Berisha pas përfundimit të votimit në Primaret për zgjedhjen e kandidatëve për kryetarë bashkie thotë se ky proces ka shënuar hapjen e vërtetë të kësaj force politike. Ai nuk nguroi të sulmonte PS-në duke thënë se askush nuk e di se çfarë ndodh në “bodrumet” e PS-së.

“Edhe njëherë theksoj se procedura e sotme dhe primaret, shënojnë gjithashtu hapjen e vërtetë, reale, institucionale të PD-së. Në garë morën pjesë mbi 200 kandidatura, por nuk ka një prej tyre që të thotë se mora pjesë si kandidat i kryetarit apo kryesisë së PD. Jo, që të gjitha pa përjashtim si vullnet i lirë i demokratëve apo vetë kandidatëve.

Imagjinoni për një moment, këtë gjallëri, aktivitet, transparent publik para medieve dhe shqiptarëve, në zhvillimet në skutat mafioze të partisë tjetër, tek e cila siç e dini, njëlloj si në ligjin e mafias nuk pipëtin asgjë.

Qytetarët shqiptarë nuk kanë as edhe një ide, të dhënë seç ndodh brenda atij bodrumi, apo shpelle, përveç klithmat prokolalike të përditshme, nga mëngjesi deri në darkë të asaj force politike që gjithçka mund të jetë, por jo demokratike, tepër e rrezikshme për të ardhmen e vendit që quhet PS, por tashmë e kthyer në orgjinë.”- tha Berisha gjatë fjalës së tij.