Vendosni fjalën kyçe....

Evropa s’është e fortë sa duhet, po të mos ishte për SHBA-në do ishim në telashe – Finlanda


Vendet evropiane do ishin në pozita të rrezikshme tani nëse nuk do ishte për rolin që SHBA-ja po luan në konfliktin e Ukrainës, pohoi të premten kryeministrja finlandeze Sanna Marin. Ajo u kërkoi gjithashtu aleatëve të Helsinkit të rrisin përpjekjet për të ndërtuar aftësitë e mbrojtjes.

Duke folur gjatë një vizite në Australi, kryeministrja finlandeze tregoi se Evropa nuk është në gjendje të mirë për të përballuar e vetme krizën e tanishme.

“Do të jem tejet e sinqertë me ju, Evropa nuk është mjaftueshëm e fortë. Ne do ishim në telashe nëse SHBA-ja nuk do ishte përfshirë në konfliktin e Ukrainës.” – tha ajo, duke treguar ndihmën e madhe që Uashingtoni i ka dhënë Kievit.

Sipas Marin, Evropa duhet të bëjë më të mirën për t’u bërë më e fortë.

“Ne duhet të sigurohemi se po ndërtojmë aftësitë mbrojtëse të Evropës dhe industrinë evropiane të mbrojtjes.”

Ajo gjithashtu vuri në dukje se sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës kishte ndryshuar llogaritjen politike të Helsinkit ‘brenda natës’. Në maj, Finlanda dhe fqinji i saj nordik Suedia paraqitën kërkesat për t’u bashkuar me NATO-n.

Aleanca e udhëhequr nga SHBA-ja ka thënë në mënyrë të përsëritur se, ndërsa po e mbështet Ukrainën ushtarakisht, ajo nuk është palë në konflikt. Të enjten, ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov akuzoi Uashingtonin dhe NATO-n për pjesëmarrje të drejtpërdrejtë në luftë.