Vendosni fjalën kyçe....

I modifikoi flamurin për të mbështetur protestuesit, Irani bën thirrje që SHBA të përjashtohet nga Kupa e Botës 2022


Media shtetërore iraniane ka bërë thirrje që SHBA të përjashtohet nga Kupa e Botës 2022, pasi Federata e Futbollit e Shteteve të Bashkuara ndryshoi flamurin e Iranit në platformat e saj të mediave sociale për të treguar mbështetje për protestuesit atje.

Federata amerikane kishte shfaqur përkohësisht flamurin kombëtar të Iranit në llogaritë e saj zyrtare në Tëitter, Instagram dhe Facebook, por pa emblemën e Republikës Islamike.

Flamuri kombëtar i Iranit shfaqet pa emblemën e Republikës Islamike, në grafikun e publikuar nga Federata e Futbollit në SHBA

US Soccer i tha CNN-it të dielën se donte të ndryshonte flamurin zyrtar për 24 orë për të treguar “mbështetje për gratë në Iran që luftojnë për të drejtat themelore të njeriut”, por ama planifikonte të kthehej në flamurin origjinal.

Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit i tha CNN-it se nuk ishte koordinuar me US Soccer në vendimin e trupit sportiv për të ndryshuar flamurin e Iranit në llogaritë e tij të mediave sociale, për të treguar mbështetje për protestuesit në Iran.

“Ne presim një ndeshje paqësore dhe konkurruese në fushë. Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të gjejnë mënyra për të mbështetur popullin iranian përballë dhunës së sponsorizuar nga shteti ndaj grave dhe një shtypje brutale kundër protestuesve paqësorë.”- tha Departamenti i Shtetit për CNN.

Media shtetërore iraniane raportoi të dielën se Shtetet e Bashkuara duhet të përjashtohen menjëherë nga turneu dhe të pezullohen për 10 ndeshje për një “imazh të shtrembëruar” të flamurit të vendit.

“Duke postuar një imazh të shtrembëruar të flamurit të Republikës Islamike të Iranit në llogarinë e tij zyrtare, skuadra e futbollit e SHBA-ve ka shkelur statutin e FIFA-s, për të cilën një pezullim prej 10 ndeshjesh është dënimi i duhur.”– shkruan Agjencia e lajmeve në Iran, Tasnim.

Irani dhe SHBA luajnë me njëri-tjetrin të martën në një ndeshje vendimtare të Grupit B. Është një barazim i domosdoshëm për SHBA-në, nëse dëshiron të përparojë në fazat e eliminimit.