Vendosni fjalën kyçe....

Parlamenti Europian goditet nga sulmet kibernetike


Parlamenti Evropian është goditur nga një sulm kibernetik, fill pasi e shpalli Rusinë një shtet sponsor të terrorizmit.

Lajmi u konfirmua fillimisht nga zëdhënësi i parlamentit Jaime Duch. Ai tha në një postim në Twitter se ekipet e IT-së së Parlamentit Europian po punojnë për ta zgjidhur sa më shpejt problemin.

Siç shkruan Politico, Uebfaqja e Parlamentit Evropian u përball me një sulm kibernetik “të sofistikuar” që ndërpreu shërbimet e tij disa momente, pak pasi anëtarët votuan për ta shpallur Rusinë një shtet sponsor të terrorizmit.

“Konfirmoj se Parlamenti ka qenë subjekt i një sulmi të jashtëm kibernetik, por shërbimet parlamentare po ia dalin mirë për të mbrojtur Parlamentin.”- tha në një deklaratë Dita Charanzová, deputete çeke dhe zëvendëspresidente e Parlamentit përgjegjëse për sigurinë kibernetike.

Një tjetër zyrtar i lartë i Parlamentit, duke kërkuar të mos përmendet emri, tha se “mund të jetë sulmi më i sofistikuar që Parlamenti ka njohur deri më tani”.

Politikanët e BE-së kishin votuar më herët për ta shpallur Rusinë një sponsor shtetëror të terrorizmit pasi argumentuan se sulmet ushtarake të Moskës ndaj objektivave civile si infrastruktura energjetike, spitalet, shkollat dhe strehimoret shkelnin ligjin ndërkombëtar.