Vendosni fjalën kyçe....

Veliaj “kërcënon” banorët e Njësisë 4: Kush nuk firmos marrëveshjen e rindërtimit, do i ndërpritet bonusi i qirasë


Në një takim me banorët e Njësisë 4, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka paralajmëruar banorët e prekur nga tërmeti se do u ndërpritet bonusi i qiranë në rast se nuk e kanë firmosur ende marrëveshjen për apartamentet e reja.

 “E di që, një pjesë e madhe e atyre që marrin bonuset e qirasë, nuk kanë ikur ende nga shtëpitë e dëmtuara. Nuk jemi treguar konservatorë për të thënë se po e quajmë si një ndihmë. Megjithatë, nëse dikush mendon se kjo do vazhdojë pafundësisht dhe meqë ka përfituar bonusin e tërmetit, nuk pranon të nënshkruajë kontratën, po ju them se do t’u ndërpritet.

Pra, kushti i bonusit është që do të pranosh të shkosh te shtëpitë e reja. Por t’i nuk mund të thuash se ‘do vazhdoj të marr bonusin përjetësisht si një rrogë të dytë apo të tretë’ dhe do vazhdosh të rrish në një shtëpi, se larg qoftë vjen një e keqe. Unë vërtet nuk çoj dot policë në çdo apartament, por e pranojmë se nuk është etike por e tolerueshme në këto kushte të vështira. Ama jo përgjithmonë.

Në një moment, nëse dikush merr bonusin e qirasë dhe nuk nënshkruan dakordësinë që do lëvizë në një apartament të ri, atëherë sigurisht që bonusi do ndërpritet. Se unë këto s’i kam paratë e mia, janë para që të gjithë i paguajmë nga taksat. Ju mbahen ju nga rrogat.”- u shpreh Veliaj. Kryebashkiaku tha se janë dorëzuar tashmë pallatet e para te “5 Maji, ndërsa pritet të hidhet shorti përpara vitit të ri për 3 godina të tjera.

Në këtë takim ku folu kryesisht për buxhetin e vitit 2023, Veliaj renditi të gjitha investimet e kryera për komunitetin e zonës, duke nisur nga rrugët, shkollat, kopshtet, çerdhet, konviktet, fushat sportive dhe ndërhyrjet në rrjetin e kanalizimeve dhe të ujësjellësit.