Vendosni fjalën kyçe....

“Burri nga Florida bën njoftimin” – New York Post tallet me kandidaturën e Trump, e quan pensionist


New York Post u tall me njoftimin e ish-presidentit Donald Trump për të kandiduar në zgjedhjet e vitit 2024 duke e futur lajmin në faqet e saj të fundit, duke e përshkruar në mënyrë tallëse atë si një ‘golfist të zjarrtë’ dhe një ‘pensionist të Florida-s’.

New York Post e ka kritikuar ashpër Trump-in që nga zgjedhjet afatmesme të javës së kaluar dhe duket se e konsideron guvernatorin e Floridës Ron DeSantis si të ardhmen e Republikanëve.

“Burri nga Florida bën njoftimin.” – shkruhej në një pankartë nën faqen e parë të New York Post, pasi Trump njoftoi kandidaturën e tij. Brenda, në faqen e 26-të të gazetës, fyerjet vijuan.

“Golfisti i zjarrtë Donald J. Trump i nisi gjërat në Mar-a-Lago, resorti i tij dhe biblioteka e dokumenteve të klasifikuara.” – thuhej në shkrim.

“Trump, i famshëm për hollet e veshura me ar dhe për përjashtimin e njerëzve nga spektaklet, do jetë 78 vjeç në vitin 2024.” – vijoi shkrimi.

“Nivelet e tij të kolesterolit nuk dihen, por ushqimi i tij i preferuar është një biftek i djegur me ketchup. Ai ka deklaruar se kualifikimet e tij për detyrë përfshijnë të qenit një ‘gjeni i qëndrueshëm’.

“Trump shërbeu gjithashtu si presidenti i 45-të.” – përfundon shkrimi.

Shkrimi shënon një ndryshim dramatik në qëndrimin e New York Post, pasi bordi i saj editorial i dha atij një miratim entuziast për rizgjedhjen në vitin 2020.

“Ai i ka mbajtur premtimet e tij.” – shkroi bordi.

“Rizgjedhja e tij është zgjidhja më e mirë për Shtetet e Bashkuara.”

Megjithatë, pas rezultatit të dobët në zgjedhjet afatmesme të republikanëve javën e kaluar, toni i medias njujorkeze ka qenë më i ftohtë. Faqja e parë e saj të enjten e kaluar e përshkroi atë si ‘Trumpty Dumpty’, ndërsa e quajti Guvernatorin e Florida-s Ron DeSantis, i cili fitoi lehtësisht një mandat të dytë në garën për Guvernator, si e ardhmja.

Wall Street Journal, e cila ashtu si New York Post është në pronësi të manjatit të medias Rupert Murdoch, nisi një sulm të ngjashëm. Ajo e quajti Trumpin ‘humbësin më të madh të partisë republikane’ dhe e portretizoi DeSantis si një kërcënim të drejtpërdrejtë për ish-presidentin.