Vendosni fjalën kyçe....

Boçi zyrtarizohet si kandidati i vetëm i PD-së për Elbasanin: Kam edhe dakordësinë e grupit që pretendon se mban vulën


Luçiano Boçi është kandidati i vetëm për primaret e Elbasanit duke u bërë automatikisht kandidat i PD-së për zgjedhjet e 14 majit 2023.

Ai është propozuar nga struktura ndërsa Elbasani bën pjesë ndër pak bashkitë ku ka vetëm një kandidat në garë.

Në një deklaratë për mediat sot, Boçi tha se baza e demokratëve në qytet është e bashkuar duke pohuar se ka edhe dakordësinë e palës tjetër në PD, ‘që pretendon se mban vulën’.

“Dakordësia mes bazës dhe pjesës tjetër që pretendon se mban vulën e PD tashmë është e dëshmuar jo më larg se dhe para 2 ditësh në pjesëmarrjen masive të demokratëve. Baza është e unifikuar dhe konsensusi i dhënë nga ata ka qenë dhe shtysa ime se propozime ka pasur nga baza për të qenë kandidat i Elbasanit. Nuk mjaftohemi vetëm nga këto deklarata që ndonjëherë konsiderohen formale. Kontaktet e mia me çdo person që mendon ndryshe do jenë të vazhdueshme që ne të punojmë bashkë për arritjen e qëllimit kryesor. Grupimin tjetër unë e artikulova, kam dhe dakordësinë e tyre, nuk është deklaratë formale. Kontaktet tona kanë qenë dhe janë të vazhdueshme e kontaktet e mia personale do jenë të vazhdueshme për të realizuar atë funksionim të gjitha forcave tona që i kemi pasur dikur, i kemi e do i shtojmë që të arrijmë objektivin e fitores në Bashkinë e Elbasanit.” – tha Boci.

Ndërkohë vendin e Boçit në parlament do e marrë Qani Xhafa.