Vendosni fjalën kyçe....

Vjosa Osmani kërkon nga KQZ emrat që do t’i zëvendësojnë deputetët e Listës Serbe


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani i ka kërkuar KQZ-së listën e ligjvënësve që do t’ë zëvendësojnë deputetët e Listës Serbe.

Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi për gazetën Express, e cila shkruan se KQZ-ja do të përgatisë rekomandimet brenda afatit ligjor prej 5 ditësh.

“Mund t’iu konfirmoj se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar kërkesën nga Presidentja e Republikës së Kosovës për të rekomanduar emrat e personave të ligjshëm të radhës për të plotësuar vendet e lira në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Duke u mbështetur në ligjin për zgjedhjet e përgjithshme, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të përgatisë rekomandimin brenda afatit ligjor prej 5 ditësh pune nga momenti i marrjes së kërkesës.”-tha Elezi.

Lista Serbe dorëzoi mandatet në Kuvendin e Kosovës pas vendimit për targat. Jo vetëm kaq, por serbët janë larguar nga postet drejtuese në komunat që udhëheqin, në Polici, Gjykata, Prokurori e institucione të tjera shtetërore.