Vendosni fjalën kyçe....

Historia e trishtë e 6-vjeçares në Valias të Tiranës, mëson e fle me qiri (Video)


Shumë pranë Tiranës, në Valias jeton në kushte tejet të vështira familja Jazaj, fëmija i mitur i së cilës nuk e njeh dritën e energjisë elektrike brenda mureve të banesës, që përbëhet vetëm nga katër muret, qirinjtë, një dollap i shqyer bosh, grumbuj rrobash e dy krevate modeste.

Emisioni ‘Xhadat’ në MCN TV, ka sjellë historinë e 6-vjeçares Kamela Jazaj, që është braktisur nga e ëma që pas lindjes dhe jeton në shtëpi vetëm me të atin 53-vjeçar, i cili mbijeton duke mbledhur kanaçe.

Kamela shkon në klasë të parë dhe mësimet e detyrat i bën sa është ende ditë, por tashmë që ajo është shkurtuar, shpeshherë i qëllon që të mësojë edhe nën dritën e qiririt. Lodrat e vetme të Kamelës janë një top dhe një kukull e dhuruar.

I ati rrëfen për gazetaren se për të siguruar mbijetesën del e mbledh kanaçe çdo ditë, ndërsa për të ngrënë ushqehen kryesisht me bukë, vaj e kripë pasi të ardhurat nga kanaçet janë të pakta.

“Jam 53 vjeç e jetoj vetëm me kanaçe. Gruaja ka ik ka 6 vite.  Vajzën ma kanë rrit nusja e vëllait e vëllai dhe nipi. Hamë bukë me vaj e kripë. Natën nuk fle fare pasi ndez qiririn ngaqë Kamela ka frikë pa dritë dhe më duhet ta ruaj se mos merr flakë dhoma. Nxjerr 2 mijë lekë nga ato kanaçet. Nga ju si emision kërkoj dritat, ujin dhe ndihmë për fëmijën. Asgjë tjetër në botë.” – thotë për emisionin ‘Xhadat’ babai i Kamelës.

Emisioni ‘Xhadat’ ka lënë edhe një numër telefoni për të gjithë ata që duan të ndihmojnë familjen Jazaj (0682548217).