Monedha historike, diamante të paprerë dhe shufra platini, këto janë vetëm disa nga artikujt luksozë që janë nxjerrë në ankand nga Ministria franceze e Financave. Të gjitha mallrat thuhet se janë kontrabandë të sekuestruara nga shërbimi doganor i vendit.
Në ofertë janë 350 lote me vlerë afërsisht 1 milion euro. Më shumë se 1200 blerës të mundshëm janë regjistruar tashmë për ankandin. Ndër artikujt e paraqitur në faqen e internetit të shtëpisë së ankandeve ‘Hotel Drouot’ janë 14 shufra platini me peshë 1 kg secila me një çmim fillestar prej 22,000 eurosh. Thuhet se metali i çmur u konfiskua pasi u kontrolluan bagazhet e dy pasagjerëve të nisur për në Mbretërinë e Bashkuar.
Katalogu përfshin gjithashtu monedha ari historike britanike dhe një koleksion diamantesh të paprerë, të sekuestruara në aeroportet e Parisit.
Ka gjithashtu disa orë të shtrenjta, duke përfshirë një Rolex të artë të zbukuruar me 40 gurë rubini që vlerësohet rreth 15,000 euro si dhe një tufë çantash dore të stilistëve.
Më shumë se 2,000 shishe vodka Grey Goose janë të listuara me një çmim fillestar prej 10,000 eurosh. Duke komentuar ankandin, Ministria e Financave vlerësoi shërbimin doganor për betejën e përditshme ‘kundër trafikut të paligjshëm që kërcënon territorin tonë dhe shoqërinë tonë për të mbrojtur qytetarët dhe mjedisin’.