Vendosni fjalën kyçe....

Në Kosovë nisi sot zbatimi i masave për reciprocitetin, ministri serb: Vuçiç ka vënë ushtrinë në gatishmëri


Ministri i Mbrojtjes në Serbi Millosh Vuçeviç ka deklaruar se me urdhër të presidentit Aleksandar Vuçiç, ushtria serbe është në gatishmëri dhe niveli i gatishmërisë luftarake është ngritur për shkak të situatës në Kosovë.

Siç shkruan N1, Vuçeviç e bëri këtë deklaratë ndërsa ishte i ftuar në një program televiziv. Ai u shpreh se Serbia është një vend serioz dhe për këtë arsye askush nuk duhet të bëjë “lojëra lufte”.

“Ne nuk mund të jemi të qetë dhe jemi për dialog.”- theksoi ai.

Ai tha se ushtria është e gatshme të zbatojë çdo urdhër të Vuçiçit, i cili është komandant i saj i përgjithshëm, duke mbrojtur të gjithë qytetarët e Serbisë, përfshirë serbët në Kosovë, “dhe askush nuk duhet të dyshojë në këtë”.

“Serbia është për dialog. Është më mirë të negociosh për një mijë ditë, sesa të jesh në një llogore për një ditë.”– tha Vuçeviç.

Ai paralajmëroi se kur Serbia flet për paqe dhe stabilitet, nuk do të thotë se është e dobët apo frikacake, sepse ushtria e saj është shumë herë më e fortë se sa ishte, por se vepron sipas urdhrave të kreut të shtetit dhe presidentit.

Ku reagim vjen në një kohë kur sot në Kosovë ka nisur zbatimi i vendimit të përshkallëzuar për targat ilegale në veri të vendit.

Plani i Qeverisë së Kosovës i publikuar me 28 tetor, parashikon që nga 21 prilli i vitit të ardhshëm “të hiqen” të gjitha targat që nuk janë RKS- Republika e Kosovës. Plani ka disa faza.

Kështu, për tri javë, duke filluar nga data 1 nëntor deri më 21 nëntor, masa do të jetë ajo e qortimit.

Pastaj, nga 21 nëntori, për dy muaj deri më 21 janar do të jetë masa e gjobitjes.

Më pas, nga 21 janari do të jenë targa provuese për dy muaj të tjerë. Në fund nga 21 prilli nuk mund të ketë më automjete që qarkullojnë me targa të tilla.