Vendosni fjalën kyçe....

Sulmet me bomba në Somali vrasin 100 njerëz


Shpërthimet e dy makinave bombë pranë një kryqëzimi të ngarkuar në kryeqytetin e Somalisë, Mogadishu, vranë të paktën 100 njerëz. Kështu ka njoftuar presidenti i vendit Hassan Sheikh Mohamud.

Ai është shprehur se midis viktimave “që u masakruan ishin edhe nëna me fëmijët e tyre në krahë”.

Siç shkruan BBC, presidendi bëri apel për ndihmë mjekësore ndërkombëtare për t’u marrë me 300 të plagosurit.

Ai fajësoi grupin militant al-Shabab për sulmin e së shtunës, i cili kishte në shënjestër Ministrinë e Arsimit. Një degë e al-Kaedës, al-Shabab është përfshirë në një konflikt të gjatë me qeverinë federale somaleze.

Presidenti Mohamud, i cili ka pesë muaj në pushtet, premtoi “luftë totale” kundër militantëve islamikë pasi ata sulmuan një hotel në Mogadishu në gusht duke vrarë të paktën 21 persona.

Shpërthimet e së shtunës ndodhën brenda disa minutave nga njëra-tjetra, duke shkatërruar ndërtesa dhe automjete në afërsi.

I pari goditi ministrinë e Arsimit dhe më pas i dyti ndodhi kur ekipet mjekësore mbërritën për t’u marrë me pasojat.

Një kamion shpërtheu në të njëjtën kryqëzim pothuajse saktësisht pesë vjet më parë, duke lënë më shumë se 500 njerëz të vdekur – sulmi më i keq i tillë në historinë e vendit.

Pas sulmit të së shtunës, qindra njerëz janë mbledhur pranë zonës, duke kërkuar për anëtarët e humbur të familjes. Mes të vrarëve ishte edhe një gazetar i njohur dhe oficer i lartë policie.

“Unë jam këtu për t’i thënë popullit somalez se sulme të tilla të tetorit nuk do të ndodhin më, me dëshirën e Zotit.”- tha Presidenti Mohamud pasi vizitoi skenën e sulmit.