Vendosni fjalën kyçe....

Polonia liston kërkesat për dëmshpërblimet e Luftës së Dytë Botërore nga Gjermania


Ministria e Jashtme polake ka publikuar një listë të reparacioneve që kombi kërkon nga Gjermania për humbjet e llogaritshme  apo të pallogaritshme të pësuar gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Përmbajtja e urdhrit polak për reparacionet dërguar Berlinit në fillim të këtij muaji u bë publike të premten. Përveç 1.32 trilion eurove kompensim financiar, Varshava kërkon që Berlini të marrë ‘masa sistematike’ për të kthyer sendet kulturore të grabitura nga nazistët dhe që mbahen ende në vend. “Aktivet dhe detyrimet e bankave shtetërore polake dhe institucioneve të kreditit të konfiskuara nga Rajhu i Tretë gjatë viteve të luftës gjithashtu duhet të kthehen.” – tha ministria.

Varshava po kërkon gjithashtu që Berlini të kompensojë ‘viktimat e agresionit dhe pushtimit gjerman, si dhe familjet e tyre, për humbjet dhe dëmet e pësuar’ nën pushtimin nazist. Ministria e Jashtme shtoi se shtetasit polakë dhe ata me origjinë polake që jetojnë në Gjermani duhet të rikthehen në statusin e tyre zyrtar si pakicë kombëtare.

Berlini gjithashtu duhet ‘të rehabilitojë plotësisht aktivistët e vrarë të pakicës polake të paraluftës në Gjermani’, thuhet në dokument. Varshava kërkon ‘bashkëpunimin e duhur’ në nderimin e viktimave polake të luftës dhe edukimin e qytetarëve gjermanë për ‘imazhin e vërtetë të luftës dhe pasojat e saj’, veçanërisht dëmin e shkaktuar ndaj Polonisë dhe popullit të saj.

Polonia fillimisht njoftoi kërkesën e saj për 1.3 trilion euro kompensim nga Gjermania në shtator. Kryeministri Mateusz Moraëiecki shprehu besimin asokohe se reparacionet do bëhen ‘edhe pse nuk pritet që kjo të ndodhë së shpejti’. Në sfondin e kërkesave të Polonisë për dëmshpërblim, kancelari gjerman Olaf Scholz ka hedhur poshtë kërkesën e Greqisë për të paktën 269 miliardë euro kompensim për pushtimin nazist të vendit, një shumë që përfshin një hua që Greqia u detyrua t’i jepte Reichsbank gjermane në vitin 1942. Scholz deklaroi se çështja ishte ‘e mbyllur ligjërisht dhe politikisht’ në një konferencë shtypi të enjten.

Gjermania pohon se të gjitha angazhimet e saj financiare në lidhje me Luftën e Dytë Botërore u zgjidhën me ribashkimin e vendit sipas Traktatit Dy Plus Katër të vitit 1990.