Vendosni fjalën kyçe....

Vjen kandidatura e parë për pasardhësin e Arben Krajës, Adnan Xholi kërkon të marrë drejtimin e SPAK-ut


Zbulohet kandidatura e parë për garën e kreut të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

Ai është prokurori Adnan Xholi. Sipas “News 24”, Xholi ka depozituar kërkesën dhe ka shprehur interesin për t’u bërë drejtues i SPAK.

Xholi ka një karrierë mbi 20- vjeçare në prokurori. Që prej vitit 2013 ai punon në Prokurorinë e Përgjithshme ndërsa më herët, ka mbajtur poste drejtuese në prokurori lokale, si edhe për shumë vite ka qenë prokuror pranë ish-Prokurorisë për Krime të Rënda. Xholi ka qenë edhe kandidat edhe për të marrë drejtimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), mirëpo nuk fitoi.

Mandati i drejtuesit aktual të SPAK-ut, Arben Kraja përfundon në dhjetor të këtij viti. Kraja do vijojë të mbetet prokuror i SPAK, pasi si prokuror mandati është 9 vite ndërsa si drejtues zgjidhet çdo 3 vite, pa të drejtë rikandidimi.

Afati maksimal për dorëzimin e kandidaturave është 2 nëntor 2022 ora 00:00.