Vendosni fjalën kyçe....

Spanja përgatit listën për Kupën e Botës, emra të mëdhenj pritet të mbeten jashtë


Kombëtarja e Spanjës është duke u përgatitur për Kampionatin Botëror “Katar 2022”, por emra të njohur pritet që të mos ftohen nga përzgjedhësi, Luis Enrique.

Enrique ka vendosur për mos publikimin e listës preliminare, derisa ta zbulojë listën përfundimtare me 26 futbollistët e ftuar.

Por, sipas “AS”, David de Gea nuk është pjesë e listës preliminare ose listës së atyre futbollistëve të përzgjedhur nga Enrique për Botërorin e këtij viti.

Unai Simon (Athletic Bilbao), Robert Sanchez (Brighton) dhe David Raya (Brentford) thuhet se do të shkojnë në Katar. Kepa Arrizabalaga (Chelsea) dhe David Soria (Getafe) janë në listë, por nuk mendohet se  kanë gjasa të ftohen përfundimisht.

Lista dominohet nga futbollistët e Barcelonës, si Eric Garcia, Sergio Busquets, Jordi Alba, Marcos Alonso, Gavi, Pedri, Ansu Fati dhe Ferran Torres.

Në këtë listë të gjerë përfshihen edhe i lënduari, Mikel Oyarzabal (Real Sociedad) dhe Gerard Moreno (Villarreal), si dhe Nico Williams (Athletic Bilbao), Borja Iglesias dhe Sergio Canales (të dy të Real Betisit).

Mbrojtësi i Paris Saint-Germainit, Sergio Ramos, është në listë, por ai besohet se ka pak shanse për të qenë pjesëmarrës në Botëror.

Dani Carvajal dhe Marco Asensio janë të vetmit futbollistë nga Real Madridi që figurojnë në listë.

Lista përfundimtare do të dërgohet të premten nga Enrique te FIFA.