Vendosni fjalën kyçe....

Trump thotë se ‘ndoshta do duhet’ të kandidojë për president në vitin 2024


Ish-presidenti amerikan Donald Trump ka sugjeruar se mund t’i duhet të kandidojë për president në vitin 2024.

“Kam kandiduar dy herë. Kam fituar dy herë. Herën e dytë mora një rezultat më të mirë se herën e parë.” – tha Trump në një tubim në Teksas të shtunën vonë.

“Dhe tani për ta bërë vendin tonë të suksesshëm, të sigurt dhe të lavdishëm përsëri, ndoshta do të më duhet të kandidoj përsëri.”

Duke iu referuar mbështetësve të tij që e votuan për postin presidencial në vitin 2016, ish-presidenti tha se ata janë ‘më të fortë se kurrë më parë’.

“Shumica e heshtur është kthyer më e fortë se kurrë më parë… Bashkëqytetarët e mi, ky udhëtim i jashtëzakonshëm në të cilin jemi së bashku sapo ka filluar.” – tha Trump.

Sugjerimi erdhi mes raporteve se ish-presidenti po planifikonte të shpallte qëllimin e tij pas zgjedhjeve afatmesme të 8 nëntorit.

Duke cituar ish-këshilltaren e Trump, Kellyanne Conway, CBS News raportoi se Trump mund të shpallë ofertën e tij për garën presidenciale brenda Ditës së Falënderimeve, e cila bie më 24 nëntor.

Presidenti Biden ka njoftuar gjithashtu synimin e tij për të kandiduar përsëri për president.