Vendosni fjalën kyçe....

Lumeshi e paditi për shpifje pasi e akuzoi si trafikant droge, biznesmeni humbet gjyqin ndaj Gazment Bardhit


Deputeti i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka “fituar” betejën gjyqësore me Myftar Lumeshin, i shpallur ‘non Grata’ në Mbretërinë e Bashkuar. Lumeshi e paditi për shpifje Bardhin, pasi ku i fundit në një nga deklaratat e tij e cilësoi biznesmenin si “një trafikantë droge që shoqëronte Sali Berishën në betejën për të marrë selinë blu”, mirëpo, kjo padi iu hodh poshtë. Report Tv mëson se padia e Lumeshit u gjykua nga Gjykata e Posacme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ku palët u përfaqësuan me avokatët e tyre. Deputeti demokrat ka paraqitur në gjykatë provat ku ka mbështetur deklaratën e tij, duke përfshirë edhe një vendim të autoriteteve britanike, ku listohen emrat e organizatës kriminale B9, që ishte përfshirë në një trafik masiv të lëndëve narkotike nga Shqipëria në Britaninë e Madhe mes tyre edhe Myftar Lumeshi.

Pas depozitimit të provave, biznesmeni Lumeshi duket se është dorëzuar, duke braktisur gjykimin e kësaj çështjeve. Pasi nuk është paraqitur në 3 seanca radhazi gjyqësore, pa dhënë asnjë shpjegim apo justifikim të ligjshëm, gjyqtarja e gjykatës së posaçme Atalanta Zeqiraj, në datën 13 Tetor 2022, ka vendosur pushimin e gjykimit, duke rrëzuar në këtë mënyrë padinë e biznesmenit Myftar Lumeshi dhe duke mos i klasifikuar si shpifje deklarimet e deputetit demokrat Gazment Bardhi.

Në 6 Janar 2022 Bardhi do të kërkonte nga Sali Berisha që në vizitat e tij në selinë e Partisë Demokratike të mos shoqërohej me trafikantë droge të shpallur non-grata nga Britania e Madhe. Kjo deklaratë tërhoqi vëmendjen e medias, e cila e pyeti Gazment Bardhin se “Keni deklaruar se persona me rekorde kriminale, të dënuar në Britaninë e Madhe, pjesë e grupit kriminal B9 janë parë në oborrin e selisë. Mund të na thoni emra ju lutem?”. Përgjigja e Bardhit ishte e menjëhershme “Po, shoqëruesi i Sali Berishës, Myftar Lumeshi.”  – pohoi ai.

Menjëherë pas kësaj deklarate, në një dalje ne media, Lumeshi iu përgjigj akuzave të Bardhit duke i cilësuar si shpifje dhe sajesa nga ana e tij. “Ashtu si ju, edhe unë u habita me këtë B9-s. Unë habitem nga këto shpifje dhe sajesa nga Gaz Bardhi”, deklaroi Lumeshi. Ai po ashtu njoftoi se ka paditur për shpifje deputetin e Partisë Demokratike Gazment Bardhi, por në fund e humbi këtë betejë.

VINI RE: Artikulli është pronë intelektuale e Shqiptarja.com