Vendosni fjalën kyçe....

Bardhi i përgjigjet Ramës: Boll e shantazhove Gjykatën Kushtetuese për llogari të 5 oligarkëve


Deputeti i Partisë Demokratike Gazment Bardhi i është përgjigjur kryeministrit Edi Rama pas deklaratave të fundit se PD kërkon të mbrojë një paligjshmëri në Gjykatën Kushtetuese.

Bardhi i cili është një prej iniciatorëve të ankimimit i bëri thirrje Ramës, që mos të shantazhojë Gjykatën Kushtetuese për llogari të 5 oligarkëve.

“Aq shumë ka humbur lidhjen me realitetin, sa mendon që Këshilli i Oligarkëve është organ suprem në Shqipëri. Dikush duhet ta kthej me këmbë në tokë: Gjykata Kushtetuese duhet të garantojë barazinë përpara ligjit. Nëse qytetarët e zakonshëm shkojnë në burg për ndërtim pa leje, i njëjti rregull vlen edhe për oligarkët e tu. Zabto ligjin, konfisko kullat e krimit e korrupsionit që janë pa leje dhe dorëzo para drejtësisë ata oligarkë që me lejen tënde kanë ndërtuar pa leje. Boll shantazhove Gjykatën Kushtetuese për llogari të 5 oligarkëve që i ke dhënë statusin të paprekshëm.”- tha Bardhi.

Kjo përgjigje e Bardhit erdhi pasi kryeministri Edi Rama më herët sot komentoi kërkesën e PD-së dërguar në Gjykatë Kushtetuese për VKM-në e qeverisë për ndërtimet pa leje. Rama tha se ky është një makinacion politik që të lë pa fjalë. 

“Nuk mund të shmang dot me gjithë përpjekjet, një eveniment unik në tërësinë e veprimtarisë publike dhe politike të këtij vendi që nuk është e varfër me shfaqje unikale devijimesh. Goditja në Gjykatë Kushtetuese e një vendimi qeverie, në zbatim të një ligji të kaluar në Kuvendin e Shqipërisë për të ndëshkuar abuzimet me lejet e ndërtimit, nga ndërtues. Këta në papërmbajtësinë e tyre e kanë bërë të pamundur dështimin final. Një vendim qeverie të çohet në Gjykatë Kushtetuese është një akt që të lë pa fjalë, por që një vullnet politik që të marrë në mbrojtje shkeljen e ligjit, ky është një makinacion i ri që ilustron edhe më së miri kulminacionet e mëparshme. Jo çdo konflikt i natyrës politike duhet të zgjidhet nga GJK, dhe nga ana tjetër si mund të evitojmë që duke ju adresuar GJK që në vende normale zgjidhen në rrugë të tjera të mos kontribuojmë dhe ta vëmë GJK për të tejzgjatuar mahisjen e të gjithëve.”- tha Rama.