Vendosni fjalën kyçe....

U shkarkua se nuk e thirri nxënësen vajzë si djalë, mësuesja padit shkollën për politika ‘të dëmshme’ transgjinore


Një mësuese e shkollës fillore në Mbretërinë e Bashkuar, e cila u shkarkua për shkak se sfidoi politikat transgjinore të shkollës, do e çojë çështjen e saj në gjykatë javën e ardhshme, ka raportuar Sunday Times. Sipas gazetës, mësuesja, e cila nuk dëshiron të zbulojë identitetin e saj, më parë kishte kundërshtuar t’i drejtohej një vajze tetëvjeçare si djalë.

“Me fëmijët po bëhen eksperimente dhe shkollat ​​po i bëjnë të heshtin mësuesit që nuk pajtohen me politikën e pranimit që nëse prindërit kërkojnë që një fëmijë të trajtohet si seksi i kundërt, ata duhet të bëjnë të njëjtën gjë.” – citohet të ketë thënë ajo.

Rishikimi gjyqësor, që synon si drejtuesit e shkollave ashtu edhe këshillin lokal, besohet të jetë rasti i parë i këtij lloji, sipas Sunday Times. Seancat dëgjimore do zhvillohen në Gjykatën e Lartë të Birminghamit, zbuloi media.

Përplasja nisi në shtator të vitit të kaluar, kur drejtuesja e shkollës urdhëroi mësuesen që në vitin e ardhshëm të 4-të të trajtonte si djalë një nxënëse. Mësuesja shpjegoi se ishte dëshira e prindërve të fëmijës dhe se sipas politikës së shkollës, e cila mbështetet nga këshilli lokal, grupi ‘Stonewall’ dhe Kisha e Anglisë, fëmija duhet të trajtohet si transgjinor.

Mësuesja, nga ana tjetër, ndau shqetësimet e saj, duke thënë në një email se përdorimi i emrit dhe përemrave të një djali do ishte ‘i dëmshëm’ për një vajzë. Si rezultat, ajo u pezullua për disa javë, por më vonë me ndihmën e avokatëve, u rivendos me kusht që ajo të mos i afrohej nxënësit ose të mos diskutonte mendimet e saj për këtë çështje me stafin tjetër. Megjithatë, këtë vit, pasi ajo vazhdoi të sfidonte politikat transgjinore të shkollës, ajo u shkarkua, zbuloi Sunday Times.

E mbështetur nga Qendra Ligjore e Krishterë, mësuesja paraqiti një kërkesë për një rishikim gjyqësor të refuzimit të shkollës për të marrë parasysh shqetësimet e saj. Ndërkohë, shkolla e raportoi atë në Agjencinë e Rregullimit të Mësimdhënies, e cila mund ta pezullojë atë përgjithmonë nga mësimdhënia, sipas gazetës.

Në fillim të kësaj jave, The Times raportoi se Departamenti i Arsimit në Mbretërinë e Bashkuar kishte dalë me draft udhëzime për transgjinorët për shkollat, megjithëse, sipas gazetës, kjo rrezikon ‘të çojë në ndarje kabineti’.

Masat e propozuara, siç raportohet nga The Times, përfshijnë lejimin e nxënësve trans të përdorin dhomat e zhveshjes së shkollës përpara shokëve të tyre të klasës, lejimin e fëmijëve që nuk identifikohen me seksin e tyre biologjik të veshin uniformën e zgjedhur prej tyre, si dhe futjen e në banjat e gjinisë asnjanëse.