Vendosni fjalën kyçe....

Biden e quajti Pakistanin shtet të rrezikshëm bërthamor, Islamabadi thërret ambasadorin amerikan


Joe Biden-Shehbaz Sharif

Pakistani thirri të shtunën ambasadorin amerikan për një shpjegim pasi presidenti Joe Biden e përshkroi vendin e Azisë jugore si “një nga vendet më të rrezikshme në botë” dhe vuri në pikëpyetje protokollet e tij të sigurisë së armëve bërthamore.

Biden e bëri mbrëmjen e së enjtes teksa fliste për politikën e jashtme të SHBA-së gjatë një mbledhjeje fondesh private të partisë Demokratike në Kaliforni, por Shtëpia e Bardhë më vonë publikoi një transkript të komenteve të tij, të cilat provokuan zemërim në Pakistan.

Marrëdhëniet e Uashingtonit me Pakistanin janë përkeqësuar që nga viti i kaluar, kur SHBA i dha fund një lufte dy dekadash në Afganistan.

Pakistani siguroi akses të rëndësishëm logjistik, por zyrtarët amerikanë besojnë se aparati i fuqishëm ushtarak dhe inteligjent i Islamabadit ndihmoi gjithashtu talebanët, të cilët u kthyen në pushtet ndërsa trupat e huaja u tërhoqën.

Biden po fliste për ndërveprimet e tij të shpeshta me udhëheqësin kinez Xi Jinping, kur tha: “A mendoi dikush se do të ishim në një situatë ku Kina po përpiqet të kuptojë rolin e saj në lidhje me Rusinë dhe në lidhje me Indinë dhe në lidhje me Pakistanin?

“Ky është një çun” që e kupton atë që dëshiron, por ka një sërë problemesh të mëdha. Si ta trajtojmë atë? Si ta trajtojmë këtë në lidhje me atë që po ndodh në Rusi?

“Dhe ajo që unë mendoj se është ndoshta një nga kombet më të rrezikshme në botë: Pakistani. Ka armë bërthamore pa asnjë kohezion.”

Disa orë pasi transkripti i fjalimit të tij u postua, Pakistani thirri ambasadorin e SHBA, Donald Blome, në Ministrinë e Jashtme në Islamabad, raporton The Guardian.

“E kam diskutuar me kryeministrin dhe kemi thirrur ambasadorin e Shteteve të Bashkuara për një demarsh zyrtar”, tha ministri i jashtëm i Pakistanit, Bilawal Bhutto Zardari, gjatë një konference për shtyp në Karaçi.

“Jam i befasuar nga komentet e Presidentit Biden. Besoj se ky është pikërisht ai lloj keqkuptimi që krijohet kur mungon bashkëpunimi.”

Më vonë, kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif, shkroi në Twitter se Pakistani ishte një “shtet i përgjegjshëm bërthamor”.

Ne jemi krenarë që asetet tona bërthamore kanë garancitë më të mira… Ne i marrim këto masa sigurie me seriozitetin më të madh. Askush të mos ketë dyshime”, tha ai.