Vendosni fjalën kyçe....

Përmbytje të befta godasin ishullin grek, një i vdekur e dhjetëra të zhdukur


Një 50-vjeçar ndërroi jetë ndërsa një numër i papërcaktuar personazh u zhdukën pasi stuhitë goditën disa pjesë të ishullit të Kretës të premten dhe të shtunën, duke i kthyer rrugët në lumenj dhe duke mbyllur aeroportin ndërkombëtar të Iraklios, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve AMNA.

Një tjetër grua, që besohet se ka qenë në të njëjtën makinë me të vdekurin, është raportuar e zhdukur.

Ngjarja ka ndodhur në qytetin bregdetar Agia Pelagia, në komunën Malevizio, rreth 25 kilometra në perëndim të Iraklios, ku ndryshimi i shpejtë i motit ka shkaktuar përmbytje të mëdha në orët e fundit, shkruan Ekathimerini.

Mediat vendase raportojnë se më shumë persona mund të jenë të zhdukur në Agia Pelagia dhe në qytetin fqinj Lygaria, ku zjarrfikësit shpëtuan një grua nga një automjet që përfundoi në det.

Roja Bregdetare është thirrur për të marrë pjesë në kërkimin e personave të zhdukur.

Aeroporti ‘Nikos Kazantzakis’ në Iraklio ka mbetur i mbyllur pas përmbytjeve të disa zonave. Menaxheri i aeroportit, Giorgos Pliakas tha për cretapost.gr se nëse nuk largohet uji, ‘askush nuk është në gjendje të dijë se kur do të rifillojnë fluturimet’.

Në Sitia, në njësinë rajonale lindore të rajonit Lasithi, tetë turistë dhe një roje u bllokuan në ‘Muzeun Arkeologjik’, ndërsa katër persona të tjerë u bllokuan në dy makina, raportuan faqet e lajmeve.