Vendosni fjalën kyçe....

Biden zotohet se Arabia Saudite do ketë pasoja pas vendimit për shkurtimin e prodhimit të naftës


Presidenti amerikan Biden ka paralajmëruar Arabinë Saudite për pasoja, pasi vendi lider i Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC), njoftoi shkurtime të prodhimit të naftës.

“Do ketë disa pasoja për atë që ata kanë bërë duke u anuar me Rusinë. Nuk do hyj në hollësi por do ketë pasoja.” – paralajmëroi Biden në një intervistë për CNN.

OPEC+, që përfshin Rusinë, javën e kaluar njoftoi se do pakësojë prodhimin e naftës me dy milionë fuçi në ditë duke filluar nga nëntori, ulja më e madhe e grupit që nga fillimi i pandemisë Covid-19. Ky veprim zemëroi Uashingtonin, i cili vazhdimisht i kërkoi OPEC-ut të rriste prodhimin.

Kur u pyet nga CNN nëse ishte koha që Uashingtoni të rivlerësonte marrëdhëniet e tij me Riadin, Biden tha ‘po’ dhe tregoi se Kongresi do vendoste për masat kur të kthehet në punë pas zgjedhjeve afatmesme.

Komentet e Biden erdhën një ditë pasi senatori amerikan Bob Menendez, i cili kryeson Komitetin e Marrëdhënieve me Jashtë, kërkoi që SHBA të ‘ngrijë të gjitha aspektet’ e bashkëpunimit të saj me Arabinë Saudite.

Më herët, senatori amerikan Richard Blumenthal dhe kongresmeni Ro Khanna, kërkuan ndalimin e shitjeve të armëve te Arabia Saudite. Zyrtarë të tjerë amerikanë kanë shprehur mendime të ngjashme gjatë ditëve të fundit.