Vendosni fjalën kyçe....

Evi Kokalari nxjerr audio-dëshminë: Si Belind Këlliçi i mori votat përmes lobingut për Këshillin Kombëtar


Përplasja mes Belind Këlliçit dhe aktivistes Evi Kokalari ka përshkallëzuar në zhvillime të reja. Ashtu siç kishte paralajmëruar më parë, Kokalari ka publikuar një audio-dëshmi, përmes të cilës kërkon të vërtetojë lobimin dhe orientimin e votës në Këshillin Kombëtar të Partisë Demokratike të Rithemeluar.

Kokalari shprehet në një postim në rrjetet sociale se dy persona të një grupi prej 30 vetash që drejtohej nga Këlliçi, kanë vendosur që të flasin dhe tregojnë si doli ish-kreu i FRPD-së “më i votuari” me lobimin e tyre.

“Kam dhe dy audio të personave të tjerë që kanë vendosur të flasin. Do ti ndaj me ju kur të vijë koha e duhur.

Këta persona kanë qënë pjesë e skuadrës me mbi 30 veta të Këlliçit, të cilët lobuan në grup për të orientuar votën në Këshillin Kombëtar, në kryesi, si dhe zgjedhjet e sekretarjatëve dhe të nënkryetarëve. Ky është dhe grupi që lobuan masivisht për ta nxjerrë Këlliçin si ‘më të votuarin’ në zgjedhjet e kryesisë.”-shkruan Kokalari.

Ajo thotë se zërin e dëshmitarit e ka ndryshuar për t’i ruajtur atij privatësinë për momentin pasi ai është një nga personat që do flasë në gjykatë. Në këtë audio, Kokalari luan rolin e intervistueses që bën pyetje dhe dëshmitari tregon si mblodhën vota që Këlliçi të dilte më i votuari dhe tregon dhe planet e këtij të fundit për të marrë edhe drejtimin e PD-së.

Pjesë nga audioja:

Dëshmitari: Po doli më i votuari nëpërmjet lobingut ai, na mori të gjithëve në telefon, bashkëpunëtorët e vet dhe na tha: ‘Vëlla jam në garë, këtej-andej’. I ke parasysh këto muhabetet ‘do të më ndihmosh, ti ke influencë në filan vend’ sepse ai na i di të gjitha këto raportet, ku e kemi fuqinë, me kë kemi bashkëpunuar, kush na e han llafin, kush nuk na e han llafin. Ideja është që kërkoi ndihmë dhe unë i kam thënë po: ‘Unë kam mundësi, do të jap kaq vota’.

Kokalari: Sa vota pak a shumë i ke marrë?

Dëshmitari: Unë personalisht për Kryesinë në PD i kam dhënë afërsisht 55 vota.

Kokalari: Kjo ka qenë kur ishin zgjedhjet për nënkryetar, apo…?

Dëshmitari: Unë flas për Kryesinë, pastaj kur ishin zgjedhjet për nënkryetar më ka marrë dy orë përpara, biles nuk ia kam hapur. Më kishte lënë mesazh: “Vëllaçko të lutem, kam shumë nevojë për ndihmën tënde se garoj për nënkryetar”. E kam mesazhin në telefon. I thashë se isha në dush, po vij te Selvia. Ishte dy orë para. Më tha “vëlla jam në garë për nënkryetar, të lutem më ndihmo, dua të bësh maksimumin tënd. I thashë ‘unë prisja që të ishe për sekretar i Përgjithshëm siç na kishe thënë’, se kishim komunikuar. ‘Jo është më mirë kështu’ tha ai. Okej, kam bërë telefonatat e mia dhe normalisht kam has në vështirësi shumë të mëdha sepse njerëzit nuk donin ta votonin. Nuk e di çfarë ka ndryshuar brenda javës. Doli e hapur. Plasën ato që plasën, ato skandalet.

Kokalari: Domethënë, ky kur doli në televizor dhe thoshte që “jam shumë i lumtur që jam më i votuari” në të vërtetë ka qenë më i votuari sepse keni lobuar ju.

Dëshmitari: Po kemi qenë afro 30 veta nga Këshilli Kombëtar që kemi dalë. Unë personalisht kam vota, kam bërë punën për të qenë aty dhe kam votat për të qenë aty. Ama kam qenë pjesë e lobingut të atij, në kuptimin që kemi qenë pjesë e frontit të shoqërisë brenda PD-së.

Kokalari: Sa vota mendon që mund të ketë marrë që doli më i votuari? Se na bëri përshtypje që Flamur Noka ishte gjithë kohën në kontakt me njerëzit në fushë, dhe nuk e di, nuk besoj se ka bërë lobing dhe doli ky më i votuari. Dhe kjo më bëri përshtypje duke ditur që ky as nuk ishte me ne nëpër foltore 3 muajt e parë. Ndërsa Flamur Noka ka qenë gjithandej. Këto ishin dyshimet e mia. Por sa vota mendon që i ke marrë atë ditë ti këtij dhe sa vota mendon që kanë marrë ata që kanë lobuar për të atë ditë?

Dëshmitari: Ne kemi qenë diku te, shokët e tij domethënë pjesë e lobingut të tij brenda PD-së, kemi qenë diku tek 30 veta që kemi lobuar për të. Dikush ka bërë shumë vota, dikush ka bërë një votë, dy vota. Dhe ky arriti të dilte në Kryesi si më i votuari me 197 vota në mos gabofsha.

Kokalari: Unë kam ngritur një problem, që kur është bërë Këshilli Kombëtar, këta kanë lobuar për të orientuar votën me 47 emra. Kishin atë që ne i thonim ‘bingo table’, që vunë gjithë emrat e atyre që kanë të vetët okej.

Dëshmitari: Numri im është aty, që doli ajo lista me numrat.

Kokalari: Po ajo 30-shja që e ndihmuan për të dalë më i votuari atë ditë, të tërë janë pjesë e Këshillit apo jo?

Dëshmitari: Absolutisht po, janë gati 70% e atyre numrave pjesë e Këshillit dhe atë nuk e ka shpërndarë ai personalisht.

Kokalari: Këtë e di shumë mirë, e di dhe kush nga mbrapa atij. Po prit se do dalë, dalëngadalë. Se kjo ka qenë ajo pika ime. Nuk është puna vetëm tek orientimi, se ky tha që kjo po del kundra Forumit Rinor. Unë nuk po dilja fare kundra forumit rinor. Mua po më vinte keq se ai po merrte forumin, po fuqizonte këshillin kombëtar, pikërisht që të arrinte të bëhej sekretar, kryetar, çfarë të dojë dhe të kishte votën. Gjë që ti po e provon që kjo ka qenë.

Dëshmitari: Shiko, ai ka pas planifikuar që fillimisht të zgjidhej si Sekretar i Partisë Demokratike. Ai ka thënë nëpër tavolina, nëpër rrethe shumë, që unë po pregatis veten për të marrë PD-në. ‘Jam e ardhmja, për dy-tre vite do marr PD-në’ ka thënë.

Kokalari: E dija unë, prandaj e donte ky pozicionin e sekretarit të Përgjithshëm ky. Pikërisht për këtë. Kishte fuqizuar edhe Kryesinë ky e t’i ktheheshin dhe Berishës e të bënin çfarë të donin…

ÇFARË SHKRUAN KOKALARI

AUDIO DESHMI E LOBIMIT DHE ORIENTIMIT TE VOTES SE BELIND KELLICIT.

Po ndaj me ju një audio të njërit nga dëshmimtarët që do thërras në gjykatë, për padin që Belind Këlliçi ka ngritur ndaj meje. Ja kam ndryshuar zërin për t’i ruajtur privatësinë, të paktën për momentin. Kam dhe dy audio të personave të tjerë që kanë vendosur të flasin. Do ti ndaj me ju kur të vijë koha e duhur.

Këta persona kanë qënë pjesë e skuadrës me mbi 30 veta të Këlliçit, të cilët lobuan në grup për të orientuar votën në Këshillin Kombëtar, në kryesi, si dhe zgjedhjet e sekretarjatëve dhe të nënkryetarëve. Ky është dhe grupi që lobuan masivisht për ta nxjerrë Këlliçin si “më të votuarin” në zgjedhjet e kryesisë.

Të lobosh për veten dhe e kuptoj, po të kesh 30 veta, që lobojnë dhe orientojnë votën, e ku të nxjerrin si politikanin më të votuar duke gënjyer kështu të gjithë demokratët, e më pas mundohen të të votojnë si nënkryetar partie, do të thotë që PDja është akoma e injektuar thellë me virusin e Lulzim Bashës.

Ajo që më vjen vërtet keq është që këta individ (Këlliçi nuk është vetëm), kanë pafytyrësinë të nënvlerësojnë mundin, inteligjencën por mbi të gjitha sinqeritetin tonë. Nuk e di, por për mua foltoret ishin më sinqerita dhe ngjallnin më shumë shpresë në fillim. Duket qartë që gjërat filluan të ndryshojnë pikërisht kur Këlliçi erdhi nga ana jonë dhe i lanë në dorë organizimin e kuvendit të 11 Dhjetorit si dhe komisionin e rithemelimit.

Ka një grup në kryesi që kanë hyrë aty pa meritokraci. Kjo lloj PDje, nuk mund ta nxjerrë Shqipërinë nga balta. Nëse PDja do të tregoj seriozitet, sidomos tashti që është opozitë dhe ka nevojë për mbështetjen e bazës, duhet të marrë masa të menjëhershme kundrejt atyre që kanë manipuluar vullnetin e lirë të demokratëve, duke filluar nga Belind Këlliçi, Eno Bozdo e të tjerë.

Tashti, nëse Besart Xhaferi ‘fiton’ sot, kryesia do ketë një grup prej 5-6 vetësh që janë aty për të pasur kontrollin e partisë për interesat e tyre. Këto interesa nuk përputhen aspak me interesat e atyre njerëzve që besuan vërtet në një rithemelim të PDsë.

Me pak fjalë, ky grup është si ai tumori që ka ngelur pas, mbas një operacioni super të vështirë, dhe që rrezikon të rritet dhe të kthehet në metastazë qe nuk mund ti shpëtosh dot më kurrë.

A ja vlen gjithë ai mund të shkoj kot dhe të minohet nga këta sharlatan?