Vendosni fjalën kyçe....

Meta me përfaqësuesit e ‘Turgut Ozal’: I shokuar për mbylljen e kopshtit fill pasi ka filluar shkolla


Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta është takuar sot me përfaqësuesit e institucionit arsimor ‘Turgut Ozal’.

Ai ka publikuar në “Facebook” një foto nga ky takim, ndërsa shprehet se është shokuar nga vendimi i qeverisë për mbylljen e kopshtit.

Sipas Metës, është shqetësues fakti që ky vendim qshtë marrë pasi ka nisur viti shkollor, duke ndikuar tek fëmijët, prindërit dhe mësuesit. 

 “Prita sot përfaqësuesit e institucionit arsimor ‘Turgut Ozal’ një investim privat hollandez, që më shpjeguan në detaje veprimet antiligjore të Qeverisë shqiptare ndaj këtij institucioni arsimor, për të cilat janë njoftuar dhe rasti po ndiqet me vëmendje edhe nga institucionet ndërkombëtare. Jam i shokuar nga këto fakte të cilat shkatërrojnë sigurinë juridike në vend. Këto akte antiligjore nuk kanë të bëjnë vetëm me një shkollë, por tregojnë rrezikun që i kanoset çdo qytetari, investitori të huaj, biznesi të ndershëm, etj.

Shpreh shqetësimin e madh për këto akte të papranueshme, nisur edhe nga fakti, që ky vendim i Qeverisë merret pasi ka filluar shkolla, duke ndikuar tek fëmijët dhe familjet e tyre, si edhe tek mësuesit. Jemi një vend që duhet të funksionojë sipas ligjeve, por në këtë rast, shteti ynë ka kryer akte arbitrare brutale dhe të paligjshme, që kanë traumatizuar qindra vogëlushë dhe familjet e tyre.

I sigurova se do ta monitorojmë procesin nga afër. Arsimi dhe fëmijët të mos përfshihen e të bëhen viktima të politikës!”- shkruan ish-presidenti Meta.

Këtë javë, Këshilli i Ministrave vendosi mbylljen e kopshtit privat “Zubeyde Hanim” në Tiranë, që është pjesë e shoqërisë Turgut Ozal. Kjo me argumentin se nga institucioni arsimor janë kryer shkelje të rënda të legjislacionit në fuqi.