Vendosni fjalën kyçe....

Britania e Madhe po konsideron t’i bashkohet “Bashkimit të ri Evropian” të propozuar nga Macron


Mbretëria e Bashkuar po konsideron nëse do të marrë pjesë në një “klub” të ri politik evropian muajin e ardhshëm.

Takimi i parë i “Komunitetit Politik Evropian” do të mbahet në Pragë në fillim të tetorit.

Siç shkruan BBC, qeveria britanike dëshiron të shohë më shumë detaje mbi samitin përpara se kryeministrja Liz Truss të angazhohet për të marrë pjesë në të dhe asnjë vendim përfundimtar nuk është marrë.

Komuniteti Politik Evropian është një ide e hedhur nga presidenti francez Emmanuel Macron. Ai e propozoi atë, në muajin maj, si një “hapësirë ​​të re” për bashkëpunim. Brenda këtij bashkimi të ri politik, kombe si Ukraina, madje edhe Britania pas Brexit, mund të krijojnë lidhje më të thella pa u anëtarësuar zyrtarisht në BE.

Macron sugjeroi se grupi mund të diskutojë sigurinë, energjinë dhe transportin, si dhe lëvizjen e njerëzve, veçanërisht të rinjve. Synimi është krijimi i një forumi që shkon përtej 27 vendeve anëtare të BE-së.

Ide të ngjashme janë përhapur për dekada, por kjo është nisma e parë e madhe për një forum të tillë që nga Brexit.

Zyrtarët e Mbretërisë së Bashkuar thuhet se po kërkojnë garanci se takimi nuk do të mbizotërohet shumë nga vendet apo institucionet e BE-së. Britania do të dëshironte të shihte të tjerë “lojtarë të mëdhenj” nga jashtë BE-së të pranishëm.

Të 27 anëtarët e BE-së do të ftohen, si dhe Mbretëria e Bashkuar, Ukraina, Norvegjia, Zvicra dhe Turqia. Gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor ka të ngjarë të ftohen gjithashtu, së bashku me Islandën, Lihtenshtajnin, Moldavinë, Gjeorgjinë, Armeninë dhe Azerbajxhanin.

Zyrtarët e BE-së i kanë thënë BBC-së se një memorandum ka shkuar në kryeqytetet, me ftesa zyrtare për t’u ndjekur. Por, përpara se të përgjigjet, ka indikacione se Britania gjithashtu dëshiron të konsultohet me qeverinë e Ukrainës, si dhe me aleancën ushtarake mbrojtëse, NATO-n.

Takimi inaugurues i “Komunitetit Politik Evropian” do të zhvillohet më 6 tetor në kryeqytetin çek, Pragë.

Republika Çeke aktualisht mban presidencën e rradhës të Këshillit Evropian.