Vendosni fjalën kyçe....

Arsimtarët në Kosovë grevë, s’arrijnë marrëveshje pas takimit me qeverinë


Arsimtarët në Kosovë po zhvillojnë një grevë, e cila do vijojë pas takimit mes përfaqësuesve të Sindikatës së Arsimtarëve e kryeministrit Kurti, ministres së Arsimit Nagavci e atij të Financave Murati.

Sipas kreut të sindikatës, Rrahman Jasharaj, pas përfundimit të takimit nuk është arriur ‘asgjë pozitive’, shkruan Koha.

“Sapo dolëm nga takimi shumë kohë i pritur, mes BSPK-së, kryeministrit Albin Kurti, ministres Nagavci e Muratit. Takimi ishte i gjatë, të dy palët i thanë mendimet e tyre. Ne si Këshill i prezantuam kërkesat tona legjitime. Ata na treguan prapë për angazhimet që i kanë bërë, mund të them se takimi ishte përmbajtjesor. Asgjë s’ka ndryshuar, Qeveria qëndron në deklarimet e saj, ne po ashtu.” – deklaroi Jasharaj.

Sipas tij temë e nxehtë e diskutimit me qeverinë ishte ndarja e 50 eurove, e paralajmëruar prej saj.

Kreu i sindikatës tha se dialogu mund të vazhdojë, por pa ndryshuar qasja e qeverisë, nuk do ketë rezultate.

“Asgjë e re nuk ndodhi. Anëtarësia do t’i thotë jo dhe kjo do të thotë se jemi në situatë të tillë. E lutëm kryeministrin, Nagavcin e Muratin, që të angazhohen të ofrojnë një lëvizje të re, në mënyrë që të tejkalohet kjo situatë. Lëvizje nuk pati.” – tha Jasharaj.

Nga 25 gushti, administrata publike dhe mësimdhënësit janë në grevë, pasi po kërkojnë nga 100 euro shtesë në muaj, deri në miratimin e Ligjit të Pagave. Qeveria ka ofruar nga 50 euro për 3 muaj.