Vendosni fjalën kyçe....

Nëna e tre fëmijëve me zërin i dridhet i ankohet Berishës: Me diplomë por e papunë, në dhjetor më hoqën dhe ndihmën ekonomike


Në bashkëbisedimin e sotëm të ish-kryeministrit Sali Berisha në Ersekë, mes shumë të tjerëve mori fjalën edhe një zonjë, nëna e tre fëmijëve e cila tha se i rriste e vetme ata.

E papunë edhe pse e diplomuar në Tiranë për psikologji, e vetme me tre fëmijë, pa përkrahje, së fundmi i kanë ndërprerë edhe ndihmën ekonomike. Ky ishte përshkrimi që i bëri vetes zonja e cila u ankua për naftën, energjinë dhe sistemin që sipas saj e ka lënë pa punë dhe pa ndihmë ekonomike.

“Përshëndetje doktor, mirëse na erdhët! Ju shohim si shpresë jo vetëm të Kolonjarëve por edhe të gjithë shqiptarëve, pasi vendi sot është jashtë mase shumë në rrezik.

Unë kam mbaruar për Psikologji në Tiranë, jam e papunë. Jam nëna e tre fëmijëve, i rris e vetme të tre fëmijët e mi. Dhe jam pa asnjë lloj përkrahjeje. Ndërkohë ka që në dhjetor që më kanë ndërprerë edhe ndihmën ekonomike dhe kjo është e qëllimshme. Më thonë ‘sistemi, sistemi..’ por ndërkohë vetëm për mua është sistemi, për të tjerët jo.

Të hënën më fillon djali dhe gjimnazin, pa asnjë lloj të ardhure nga ky sistem i poshtër. Siç e thatë edhe ju bujqësia është për kujë të zezë, sepse unë jetoj dhe në fshat.

Nuk po mundemi të mbjellim dot asgjë për shkak të naftës, që është… Nuk ia dalim dot për asnjë gjë. Energjia elektrike po… Kam shumë probleme… (I dridhet zëri dhe ndalon).

Ka shumë probleme që duan zgjidhje, unë fola vetëm për hallet e mia.”- tha zonja.