Vendosni fjalën kyçe....

Themeluesi i Greenpeace Patrick Moore: Ndryshimet klimatike bazohen në narrativa të rreme, organizata u mor peng nga e majta


Patrick Moore, një nga themeluesit e Greenpeace, pohoi për The Epoch Times se arsyet e tij për t’u larguar nga Greenpeace ishin shumë të qarta:

“Greenpeace u ‘mor peng’ nga e majta politike kur ata kuptuan se kishte para dhe fuqi në lëvizjet mjedisore. Aktivistët politikë të prirur nga e majta në Amerikën e Veriut dhe Evropë e ndryshuan Greenpeace nga një organizatë e bazuar në shkencë në një organizatë politike për mbledhjen e fondeve.” – tha Moore.

Moore u largua nga Greenpeace në 1986, 15 vjet pasi ai bashkëthemeloi organizatën.

“Lëvizja ‘mjedisore’ është bërë më shumë një lëvizje politike sesa një lëvizje mjedisore.” – tha ai.

“Ata janë të përqendruar kryesisht në krijimin e narrativave, historive, të cilat janë krijuar për të futur frikë dhe faj tek publiku, në mënyrë që publiku t’u dërgojë atyre para.”

Ai tha se ata kryesisht veprojnë pas dyerve të mbyllura me operativë të tjerë politikë në OKB, Forumin Ekonomik Botëror, e kështu me radhë, të cilat të gjitha janë kryesisht të natyrës politike.

“Paneli Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike IPCC nuk është një organizatë shkencore” – tha ai.

“Është një organizatë politike e përbërë nga Organizata Botërore Meteorologjike dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Mjedisin. IPCC punëson shkencëtarë për t’u ofruar atyre ‘informacion’ që mbështet narrativën ‘emergjente klimatike’.” – shtoi ai.

Fushatat e tyre kundër lëndëve djegëse fosile, energjisë bërthamore, dioksidit të karbonit, plastikës, etj., janë të gabuara dhe të modeluara për t’i bërë njerëzit të mendojnë se bota do të marrë fund nëse ne sakatojmë qytetërimin tonë dhe shkatërrojmë ekonominë tonë. Ata tani janë një ndikim negativ në të ardhmen e mjedisit dhe të qytetërimit njerëzor’.

“Sot, e majta ka miratuar shumë politika që do ishin shumë shkatërruese për qytetërimin pasi nuk janë teknikisht të arritshme. Shikoni vetëm krizën energjetike të afërt në Evropë dhe në Britani, nga e cila po përfiton Putini. Por është kriza e tyre në kundërshtimin për të zhvilluar burimet e tyre të gazit natyror, duke kundërshtuar energjinë bërthamore dhe duke përshtatur një pozicion të pamundur për lëndët djegëse fosile në përgjithësi.” – shkroi Moore.

E majta ‘rrëmbeu’ Greenpeace

Ai tha se ‘e gjelbërta’ për mjedisin dhe ‘paqja’ për njerëzit ishin parimet themeluese të organizatës, por paqja u harrua kryesisht dhe jeshilja ishte bërë axhenda e vetme.

“Shumë udhëheqës të ashtuquajtur ‘mjedisorë’ po thoshin tani se ‘njerëzit janë armiqtë e Tokës, armiqtë e Natyrës’. Nuk mund ta pranoja që njerëzit janë e vetmja specie e ligë. Ky është shumë i ngjashëm me ‘mëkatin origjinal’, që njerëzit lindin me të keqen, por të gjitha llojet e tjera janë të mira, madje edhe buburrecat, mushkonjat dhe sëmundjet.” – argumentoi Moore.

Ai tha se filozofia e re dominuese është se bota do të ishte më e mirë nëse do të ekzistonin më pak njerëz.

Përgatiti për Hashtag.al, K.Manjani