Vendosni fjalën kyçe....

Sali Berisha: Pas 76 vitesh sot Postriba dhe Shqipëria sërish në rrezik nga një “cub që s’ka moral, as nder”


Kreu i PD-së Sali Berisha ishte këtë të premte në Shkodër për të nderuar kryengritjen e Postribës.

Gjatë fjalës së tij, Berisha tha se 76 vite më parë Shkodra dhe veriu u pushtuan nga diktatura komuniste e Enver Hoxhës.

Por pas 76 vitesh sipas tij, Shqipëria është përsëri në rrezik nga vendosja e pushtetit monist, në duart e një “cubi që s’ka moral, as nder dhe që plaçkit qytetarët”, siç e quan ai kryeministrin Edi Rama.

“Sot, pas 76 vitesh, Shqipëria është në një rrezik të madh sepse ajo përjeton vendosjen e monizmit, e pushtetit të një partie, të përqendruar në duart e një cubi që nuk ka moral, që nuk ka nder, që nuk ka asgjë, që vjedhe e plaçkit qytetarët shqiptarë çdo ditë. Ky është Edi Rama.

Përdor çdo fatkeqësi ndaj tyre për t’i shtypur, për t’i shfrytëzuar, për t’i vjedhur më shumë. Çfarë bëri me kovidin? Nxori tanket, nga ana tjetër vidhte çdo ditë, ndaj edhe vdekshmëria e shqiptarëve shkoi në qiell.

Çfarë po bën me këtë krizë? Të njëjtën gjë. Me rritjen e çmimeve fiton qindra milionë, qytetarët i mashtron me thërrime.

Sot Postriba është sërish në rrezik, Shqipëria është në rrezik. Prandaj edhe ne duke u përkulur me nderimin më të madh për heroizmin e burrave të Postribës, le të zotohemi përpara këtij monumenti, se do mbrojmë idealet e tyre të lirisë dhe Shqipërinë do e shpëtojmë nga ky regjim armiqësor, hajdut, që po shkatërron çdo ditë qenien shqiptare.”- tha Berisha.

Gjatë fjalimit të tij, Berisha tha se Kryengritja e Postribës, ishte kryengritja e parë antikomuniste në Shqipëri dhe Europë për liri e flamur kombëtar.

“Është një nder i madh për mua t’u përshëndes përzemërsisht, të përulem me nderimin më të thellë, mirënjohjen më të pakufishme përpara luftëtarëve të lirisë të Postribës dhe Shkodrës, që 76 vjet më parë vendosën t’i përgjigjen me rezistencë të armatosur, me kryengritje, një pushtimi barbar që do instalohej në Shqipëri më 28 nëntor 1944.

Ky pushtim për shqiptarët ishte i dyfishtë në ato vite. Ishte pushtim i vendosjes së diktaturës komuniste të Enver Hoxhës. Dhe unë u rikujtoj ju këtu, u rikujtoj shqiptarëve se vrasësi seria që komandoi hordhitë partizane në Shkodër dhe veri, Mehmet Shehu, do i shkruante Enver Hoxhës: se në kufirin ushtarak, Shkodrën e vendosëm nën pushtim. Ai thotë një të vërtetë të pamohueshme. Të tillë, pushtim e konsideruan qytetarët e Shkodrës, banorët e Postribës dhe veriut në tërësi.

Krahas këtij pushtimi, Shkodra dhe Shqipëria ishin në një pushtim të dytë. At Zef Pëllumbi përshkruan 28 nëntorin me ndërrimin e simboleve. U hoq flamuri kombëtar dhe u vendos flamuri jugosllav. E vërteta është se në Shkodër u vendosën zyrat e shërbimit famëkeq jugosllav, që grabiste dhe zhdukte nacionalistët e Shkodrës dhe të veriut, i bindur se ata nuk do të pranonin pushtimin serb, barbar të Shqipërisë.

Në këtë kontekst, kryengritja e Postribës, si kryengritja e parë antikomuniste në Shqipëri dhe Europë, ishte kryengritje për liri, ishte kryengritje për flamur kombëtar, kryengritje e atdhetarëve dhe patriotëve që donin një Shqipëri të lirë nga diktatura komuniste dhe padronët e tyre jugosllavë.

Kanë kaluar 76 vite, sot ne nderojmë veprën heroike të burrave dhe grave të Postribës 76 vite më parë, shumë prej të cilëve, u ekzekutuan me gjyqe dhe pa gjyqe për fajin e vetëm se po luftonin për liri. Fshatra të tjera u dogjën, mbi 1 mijë banorë u internuan në kampet më të egra të regjimit.”– tha ai.