Vendosni fjalën kyçe....

PD dy propozime qeverisë për uljen e menjëhershme të çmimit të karburantit


Partia Demokratike i ka bërë thirrje qeverisë që të marrë masat për uljen e çmimit të karburantit, që është më i larti në rajon dhe ndër 10 më të lartët në botë sipas selisë blu.

Deputeti Arbi Agalliu deklaroi sot se PD-ja kërkoi dje në Gjykatën Kushtetuese shfuqizimin e Bordit të Transparencës ndërsa i bën thirrje qeverisë që të marrë masa të shpejta në uljen e çmimit të karburantit.

“Më 31 Gusht një litër naftë: Në Shqipëri tregtohej me 248 lekë për liter; Në Maqedoninë e Veriut tregtohej me 193 lekë për litër, ose 55 lekë më lire se në Shqipëri; Në Kosovë, tregtohej me 205 lekë, ose 43 lekë më pak se në Shqipëri. Qeveria në vend që të ishte në krah të qytetarëve, në vend që të kontrollonte tregun, në vend që të lehtësone barrën fiskale që të ulte cmimin, bëri propagandë dhe zyrtarizoi Klubin e Oligarkëve të naftës duke e qujatur Bord dhe duke i dhënë të drejtën të fiksojë cmimin e karburanteve. Dje Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka depozituar në Gjykatën Kushtetutese kërkesën për shfuqizimin e këtij Bordi, si mekanizëm që po vjedh shqiptarët dhe po i varfëron ato edhe më shumë. Ndërsa nxisim Gjykatën Kushtetutese për një shqyrtim të shpejtë dhe pa vonesa të kërkesës dhe mbrojtjen e interesit publik, Grupi Parlamenar i Partisë Demokratike kërkon nga Qeveria marrjen e dy masave urgjente për lehtësimin e situatës dhe uljen e cmimit të karburantëve.” – tha Agalliu.

Deputeti demokrat shtoi se qeveria duhet të përdorë autoritetin e saj për të ndikuar në punën e Bordit për të ulur menjëherë çmimin e karburantit duke ndaluar vjedhjen e hapur të qytetarëve.

Agalliu tha gjithashtu se qeveria duhet të hartojë një paketë të posaçme fiskale për uljen ose heqjen e përkohshme të taksave që ndikojnë në çmimin e karburantit.

“Së pari, Qeveria të përdor autoritetin e saj për të ndikuar në veprimtarinë e Bordit për uljen e menjëhershme të cmimit të naftës, gazit dhe benzinës. Ulja e cmimit të karburanteve është lehtësim për vështirësinë ekonomike që po kalojnë mijëra familje shqiptare. Abuzimet që po bën Bordi gjatë gjithë këtyre muajve janë vjedhje e hapur ndaj qytetarëve dhe një abuzim që po kryhet me leje të Qeverisë nga oligarkët e naftës. Së dyti, hartimi i një pakete të posacme fiskale për uljen apo heqjen e përkohshme të taksave që ndikojnë në cmimin e karburanteve. Pikërisht Qeveria e ka në dore uljen e cmimit të karburanteve duke ulur apo hequr përkohesisht taksa të caktuara, taksa të cilat po ju bëjnë të pa mundur jetesën shqiptarëve.” – shtoi Agalliu.

Demokrati tha më tej se qytetarët shqiptarë paguajnë rreth 120 lekë taksa për një litër naftë ndërkohë që në Kosovë paguhet 72.5 lekë ndërsa në Maqedoninë e Veriut 58.5 lekë për litër.