Vendosni fjalën kyçe....

“Një djalë s’e quaj dot vajzë” – Burgoset mësuesi në Irlandë, shpërfilli gjykatën që e ndaloi t’i afrohej shkollës


Një mësues që kundërshtoi të përdorte përemra asnjanës gjinorë për një nxënës transgjinor është dërguar në burgun ‘Mountjoy’ në Irlandë për shpërfillje të gjykatës.

Enoch Burke u arrestua dje në mëngjes për shkeljen e një urdhri të gjykatës për të mos dhënë mësim në shkollën e tij në Westmeath, ose për të qenë fizikisht i pranishëm atje.

Pasi gjykatësi Michael Quinn mori vendimin e tij, Burke tha: “Është marrëzi që do më çojnë nga kjo sallë gjyqi në një vend burgimi, por nuk do heq dorë nga besimet e mia të krishtera.”

Këshilltarja e bordit drejtues të ‘Wilson’s Hospital School’ tha se ishte e rënduar që kërkoi dënimin e Burke me burg, por ajo tha se mësuesi e kishte bërë vetë zgjedhjen e tij pasi vijoi të vinte në shkollë, pavarësisht urdhrit të gjykatës.

Mosmarrëveshja filloi pasi Burke kundërshtoi t’i drejtohej një nxënësi në tranzicion si ‘ata’ dhe jo si ‘ai’, siç kërkoi vetë nxënësi dhe prindërit e tij në maj.

Kjo u përshkallëzua në pezullimin e tij një ditë para fillimit të sezonit vjeshtor, në pritje të rezultatit të një procesi disiplinor.

Ai kishte kundërshtuar të qëndronte larg shkollës me leje të paguar për pezullimin, sipas gjykatës, dhe shkonte në shkollë duke u ulur në klasat bosh teksa deklaronte se ishte atje për të punuar.

Burke i tha gjykatësit Quinn: “Unë jam mësues dhe nuk dua të shkoj në burg. Unë dua të jem në klasën time sot, ja ku isha sot në mëngjes kur më arrestuan.”

Ai tha se i donte nxënësit e tij, të cilëve u mëson gjermanisht, histori dhe politikë.

“Unë e dua shkollën time, me moton e saj ‘Res Non Verba’, veprimet jo fjalët, por jam këtu sot sepse thashë që një djalë nuk do ta quaja vajzë. Transgjinorizmi është kundër besimit tim të krishterë. Është në kundërshtim me shkrimet e shenjta, në kundërshtim me moralin e Kishës së Irlandës dhe të shkollës sime.”

“Besimi im fetar nuk është sjellje e pahijshme. Nuk është sjellje e pahijshme. Nuk do jetë kurrë. Unë kurrë nuk do e mohoj dhe nuk do e tradhëtoj dhe kurrë nuk do  përkulem para një urdhri që do të më kërkonte ta bëja këtë. Thjesht nuk është e mundur për mua ta bëj këtë.” – shtoi ai.

Përgatiti për Hashtag.al, K.Manjani