Vendosni fjalën kyçe....

Turqia paralajmëron Greqinë për ‘pasoja të rënda’


Presidenti turk Erdogan i ka kërkuar Greqisë të ndalojë militarizimin e ishujve të Egjeut, duke kërcënuar fqinjin e saj dhe aleatin e NATO-s me një ‘çmim të rëndë’ që do i duhet të paguajë.

“Pushtimi juaj i ishujve nuk na lidh. Kur të vijë koha, ne do bëjmë atë që është e nevojshme.” – tha Erdogan në një fjalim të shtunën në provincën veriore Samsun.

Ankaraja ka akuzuar në mënyrë të përsëritur Athinën se po ndjek militarizimin e ishujve, duke këmbëngulur se sovraniteti grek mbi ta kushtëzohej me statusin e tyre të çmilitarizuar.

Kryeministri grek Mitsotakis, megjithatë, i ka hedhur poshtë përpjekjet turke për të vënë në dyshim sovranitetin mbi ishujt si ‘absurde’.

Erdogan vuri në dukje historinë e konflikteve mes dy vendeve, përkatësisht luftën greko-turke të viteve 1919-1922. Lufta rezultoi në një fitore të madhe për Ankaranë, ndërsa Athinës iu desh të lëshonte territoret që mori nëpërmjet ndarjes së Perandorisë Osmane të shkatërruar.

 “Shikoni historinë, shikoni historinë, mos shkoni shumë larg, çmimi do jetë i rëndë. Ne kemi vetëm një fjali për Greqinë, mos harroni Izmirin.” – tha Erdogan, me sa duket duke iu referuar betejës së Izmirit të vitit 1922.

Beteja rezultoi në dëbimin e trupave greke nga Azia e Vogël.

Vërejtjet armiqësore nuk i kanë shpëtuar Athinës, me Ministrinë e Jashtme greke që deklaroi se nuk do të merrte pjesë në ‘rrëshqitjen e përditshme skandaloze’ të kërcënimeve të shfaqura nga Turqia. Në vend të kësaj, ministria premtoi të ngrejë çështjen e deklaratave armiqësore turke me bllokun e NATO-s të udhëhequr nga SHBA.

“Ne do të informojmë aleatët dhe partnerët tanë për përmbajtjen e deklaratave provokuese për të bërë të qartë se kush po vendos dinamitin në kohezionin e aleancës sonë gjatë një periudhe të rrezikshme.” – tha Ministria e Jashtme.