Vendosni fjalën kyçe....

Pub-et në Britani rrezikojnë zhdukjen për shkak të rritjes së çmimeve të energjisë, i kërkojnë ndihmë qeverisë


Gati tre në katër pijetore britanike presin të dalin nga biznesi këtë dimër, sipas një sondazhi nga Morning Advertiser të publikuar në mesjavë, i cili përmend çmimet e larta rekord të energjisë si shkakun kryesor për shqetësimin në industri.

Ndërsa kostot e energjisë pritet të vazhdojnë të rriten, mbi 70% e pub-eve thonë se do detyrohen të mbyllin dyert përgjithmonë nëse qeveria nuk ndërhyn.

Më shumë se 65% e të anketuarve thanë se kanë parë rritjen e kostove të shërbimeve të tyre me mbi 100%. Një tjetër 30% e pronarëve të lokaleve thanë se faturat e tyre u rritën 200% ndërsa 8% raportuan se kishin parë një rritje prej 500%. Gati 80% e pronarëve thanë se nuk kishin asnjë mënyrë për të vazhduar të përballojnë kostot.

Operatorët e dëshpëruar tani po i bëjnë thirrje qeverisë që të ndërhyjë dhe t’i shpëtojë ata nga mbyllja. Një pronar pub-i i tha Morning Advertiser se ‘duhet mbështetja dhe ndërhyrja e duhur nga qeveria’, duke vënë në dukje se ‘madje edhe një rritje prej 20% do jetë e papërballueshme, pa marrë parasysh 200%’.

Pronarët e tjerë gjithashtu kanë kritikuar gjendjen ‘qesharake’ ku ndodhen tani për tani, duke vënë në dukje se është edhe më e keqe se ‘kohët e Covid’. Disa po kërkojnë që qeveria të ulë TVSH-në dhe normat e biznesit, ndërsa të tjerë propozojnë vendosjen e një kufiri në çmimet e energjisë për bizneset.