Vendosni fjalën kyçe....

“Akuzat e Moskës janë trillime”- Ukraina këmbëngul: Nuk e vramë ne Darya Duginën


Zyrtarët ukrainas kanë tallur akuzat e Rusisë se shërbimet e saj speciale qëndronin pas vrasjes së gazetares Darya Dugina, në një sulm me bombë në makinë.

“Ne nuk punojmë në këtë mënyrë.”- tha sekretari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes së Ukrainës, Oleksiy Danilov sipas BBC.

Të martën në Moskë u mbajtën homazhe në nder të 29-vjeçares Dugina, e cila vdiq kur makina e saj shpërtheu në periferi të Moskës pak ditë më parë

Dyshimet janë se babai i saj me ndikim, Alexander Dugin, mund të ketë qenë objektivi i synuar i sulmit. Idetë e tij ekspansioniste për një Rusi të Re ose “Novorossiya” në territorin ukrainas thuhet se kanë ndikuar në aneksimin e Krimesë nga Presidenti Vladimir Putin në 2014.

Presidenti rus Vladimir Putin dënoi “krimin e poshtër, mizor” dhe pas vdekjes e vlerësoi gazetaren me “Urdhrin e Guximit”.

Babai i saj 60-vjeçar e nderoi atë si një “yll në rritje në fillimin e udhëtimit të saj“. Alexander Dugin tha se ajo u vra brutalisht para tij nga armiqtë e Rusisë dhe vazhdoi duke bërë thirrje për fitore ndaj Ukrainës.

Në Kiev, sekretari i këshillit të sigurisë dhe mbrojtjes tha se Ukraina nuk kishte asnjë lidhje me bombardimin: “Ne kemi detyra më të rëndësishme për djemtë dhe vajzat tona… FSB e bëri këtë dhe tani po sugjeron që një nga njerëzit tanë e bëri atë.”

Danilov gjithashtu pohoi se Rusia po planifikonte një seri sulmesh brenda Rusisë, në përpjekje për të mobilizuar një popullatë, mbështetja e së cilës për luftën po pakësohej.

Këshilltari i zyrës presidenciale, Mykhailo Podolyak, tha se “propaganda ruse jeton në një botë imagjinare”, duke shtuar se shpërthimi i makinës me bombë ishte pjesë e një lufte brenda shërbimeve speciale të Rusisë.

Shërbimi Federal i Sigurisë i Rusisë (FSB) tha se kishte zgjidhur rastin dhe fajësoi drejtpërdrejt Ukrainën. Pretendimet e FSB-së u raportuan gjerësisht nga televizioni shtetëror dhe komentuesit pro Kremlinit kërkuan hakmarrje të menjëhershme.

Televizioni shtetëror rus transmetoi live pamjet nga homazhet e mbajtura në qendrën televizive Ostankino në Moskë. Mendimtari ultranacionalist Alexander Dugin i bëri homazhe vajzës së tij, duke thënë se “ajo vdiq për Rusinë, për popullin”.