Vendosni fjalën kyçe....

Sigurimet motorike: përqindja e dëmeve është më e ulët në Shkodër dhe Berat, më e lartë në Tiranë dhe Durrës


Qarku i Shkodrës shënoi vitin e kaluar numrin më të ulët të dëmeve në raport me numrin e kontratave të sigurimit të detyueshëm motorik të lidhura.

Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se vitin e kaluar qarku i Shkodrës kishte raportin më të ulët mes numrit të dëmeve dhe numrit të kontratave në sigurimin e detyrueshëm motorik, me 1.16 dëme për çdo 100 kontrata të sigurimit TPL.

Pas Shkodrës, vijon Qarku i Beratit ku raporti mes numrit të dëmeve dhe kontratave është 1.56%. Këta dy qarqe kishin përqindjen më të ulët të dëmeve në raport me numrin e kontratave TPL të nënshkruara edhe për vitin 2020. Kjo tregon se nga gjasat që kompania e sigurimit të pësojë një dëm në këto qarqe paraqitet ndjeshëm më e ulët krahasuar me qarqet e tjera. Pas Shkodrës dhe Beratit, vijnë qarqet e Dibrës dhe të Fierit, me afërsisht 1.77 dëme të raportuara për çdo 100 kontrata sigurimi të nënshkruara.

Në majë të renditjes për raportin mes numrit të dëmeve dhe kontratave, edhe për vitin 2021 renditet Qarku i Tiranës, me 3.29%, i ndjekur nga ai i Durrësit me 3.09% dhe i Korçës me 2.69%.

Vitin e kaluar raporti mes numrit të dëmeve dhe numrit të kontratave të sigurimit TPL pësoi një rritje të ndjeshme në 2.69%, nga 2.16% që kishte qenë për vitin 2020. Kjo shpjegohet kryesisht me faktin se viti 2020 pati kufizime të ndjeshme të lëvizjes së mjeteve, sidomos gjatë valës së parë të pandemisë. Kjo ndikoi edhe në numrin e dëmeve motorike të regjistruara gjatë vitit. Viti 2021 ishte një vit normal për sa i takon lëvizjeve dhe raporti mes numrit të dëmeve dhe numrit të kontratave në sigurime u rrit sërish, madje duke kaluar edhe nivelet e vitit 2019.

Të dhëna e tregut të sigurimeve në nivel të qarqeve tregojnë se, statistikisht, rreziku për të pësuar një dëm në Tiranë dhe Durrës është më i lartë se në Berat apo Shkodër.

Nëse vlerësimi bëhet sipas raportit të thjeshtë aritmetik mes vlerës së dëmeve dhe primeve, raporti më i lartë mes dëmeve dhe primeve regjistrohet në qarkun e Lezhës, me 35% dhe në atë të Tiranë, me 32%. Nivelet më të ulët shënohen në Vlorë, me 15.9%, në Berat, me 18% dhe në Shkodër, me 18.2%. Raporti në vlerë lidhet shumë me masën e dëmit të shkaktuar nga aksidentet motorike dhe sidomos me dëmtimet në njerëz, që sjellin edhe kostot më të madhe në dëme të paguara nga siguruesit.

Drejtuesit e mjeteve në Shqipëri ende paguajnë prime sigurimi të njëjta, megjithëse mund të kenë shkallë të ndryshme rreziku, të lidhura me disa faktorë. Më kryesori është historiku i dëmeve, por faktorë të tjerë mund të jenë edhe eksperienca në drejtimin e mjeteve, vendbanimi dhe zona ku mjeti qarkullon etj. Në dhjetor të vitit të kaluar, AMF publikoi një projektrregullore që parashikonte se drejtuesit e mjeteve do të paguajnë për sigurimin e detyrueshëm të mjeteve do të diferencohen bazuar në faktorët që ndikojnë në rrezikun për të shkaktuar dëme.

Në projektrregulloren “Për përcaktimin e nivelit të provigjoneve teknike dhe të faktorëve të riskut për produktet e sigurimit të detyrueshëm në sektorin e transportit”, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) ka përcaktuar një listë të faktorëve të riskut që kompanitë e sigurimeve duket të përdorin për të llogaritur primet që drejtuesit duhet të paguajnë për të siguruar mjetet e tyre.

Faktorët e propozuar nga AMF janë mosha e mjetit, fuqia motorike, qarku ku është regjistruar mjeti motorik, burimi i energjisë së mjetit (elektrike apo jo elektrike), mosha e të siguruarit dhe eksperienca në drejtimin e automjetit.

Faktorë të tjerë që rekomandohen të zbatohen nga shoqëritë e sigurimit janë Bonus-Malus (historiku i dëmeve), qëllimi i përdorimit të automjetit, distanca vjetore e përshkruar si dhe faktorë të tjerë të riskut që bëjnë të mundur diferencimin e primit në bazë të riskut që mbart i siguruari. Projektrregullorja përcakton disa kërkesa shtesë edhe në drejtim të transparencës.

Shoqëria e sigurimit duhet të publikojë primet e rrezikut, koeficientët e faktorëve të riskut (shoqëruar me raste të zbatimit të tyre në praktikë), si dhe primet (çmimet) e sigurimit të detyrueshëm, në faqen e saj të internetit dhe t’i mbajë ato të afishuara në faqe gjatë gjithë periudhës së zbatimit.

Megjithatë, projektrregullorja në fjalë nuk është miratuar ende nga Bordi i AMF-së.

VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Monitor.al