Vendosni fjalën kyçe....

Incidenti me Begajn, LDK-ja e Kosovës deklaratë: S’erdhi për takim në seli, s’e kuptojmë refuzimin, të habitur për qasjen e pazakontë


Lidhja Demokratike e Kosovës ka dalë me një deklaratë lidhur me incidentin e ndodhur ditën e sotme mes kësaj force politike e presidentit të Shqipërisë Begaj i cili ndodhet në Kosovës në një vizitë zyrtare.

Në reagimin e saj LDK-ja shpreh keqardhjen për moszhvillimin e takimit me Presidentin e Shqipërisë duke vërejtur se ndryshe nga parardhësit e tij e zyrtarë e tjerë të shtetit shqiptar, Begaj ka refuzuar ta takojë kreun e LDK-së  në selinë e partisë.

Në fund LDK-ja thekson se nuk e kupton refuzimin e kreut të shtetit shqiptar dhe e quan qasje të pazakontë qëndrimin e Begajt.

“Lidhja Demokratike e Kosovës shprehë keqardhje për mosrealizimin e takimit zyrtar me Presidentin e ri të Shqipërisë, shkëlqesinë e tij Bajram Begaj; me rastin e vizitës së tij të parë në Kosovë. Për dallim nga krerët institucional paraprak të Shqipërisë, Presidentët e shkuar, Kryeministrin e tanishëm, e të tjerë kryeministra paraprak, Presidenti Begaj ka refuzuar të takojë LDK-në në selinë qendrore të saj. Ndonëse nuk e kuptojmë refuzimin e tillë dhe shprehim njëkohësisht habinë për një qasje të pazakontë, konsiderojmë si mundësi të humbur takimin me Presidentin Begaj; të cilit i urojmë suksese në përfaqësimin më dinjitoz të Republikës së Shqipërisë. LDK ka selinë e vet dhe ajo mbetet e hapur për çdo zyrtar të shtetit shqiptar, siç ka qenë përherë.” – thuhet në reagimin zyrtar të LDK-së.

Presidenti i ri i Shqipërisë Bajram Begaj ndodhet në një vizitë zyrtare në Kosovë. Ditën e djeshme ai takoi kryeministrin Kurti e presidenten Osmani ndërsa sot ishte parashikuar të takonte krerët e partive opozitare e zyrtarë të tjerë.