Vendosni fjalën kyçe....

‘Kundër diktaturës shëndetësore e luftënxitjes liberale’, legjenda e kinemasë italiane shpall kandidaturën për Senat


Gina Lollobrigida do kandidojë për një vend në Senatin italian si fytyra e një partie euroskeptike të sapoformuar.

Legjenda e kinemasë italiane Gina Lollobrigida njoftoi të shtunën se do kandidojë në zgjedhjet e përgjithshme të shtatorit si kandidate e pavarur nën flamurin e aleancës së sapoformuar Euroskeptike ISP (Italia Sovrane dhe Popullore). Ajo do të përfaqësojë distriktin Latina, i cili ndodhet në jug të Romës.

ISP, që e përcakton veten si ‘alternativa e vetme ndaj luftënxitjes liberale dhe totalitarizmit të kujdesit shëndetësor’, mbështetet nga Partia Komuniste, Atdheu Socialist, Aksioni Civil, Ancora Italia dhe Riconquistare Italia.

Grupi duhet të marrë 3% të votave për të hyrë në parlament. Platforma e saj kundërshton rritjen e shpenzimeve ushtarake, globalizimin ekonomik, privatizimin e shfrenuar dhe ‘diktaturën shëndetësore’ dhe bën thirrje për një rivendosje të sovranitetit monetar, duke denoncuar BE-në si ‘asgjë më shumë se një zyrë e Wall Street’.

Ndërsa Lollobrigida ishte e lidhur me partinë politike të sapoformuar përmes avokatit të saj Antonio Ingroia, një ish-magjistrat, kjo nuk është përpjekja e parë e yllit 95-vjeçar për t’u futur në politikë. Ajo kandidoi për Parlamentin Evropian në vitin 1999 me Partinë Demokratike, duke fituar 10,000 vota, por nuk arriti të fitonte.

Lollobrigida ka luajtur në dhjetëra filma, duke përfshirë ‘Të rrahësh djallin’; ‘Gruaja më e bukur në botë’; ‘Eja shtatori’; ‘Buka, dashuria dhe ëndrrat’; dhe ‘Mirëmbrëma zonja Campbell’. Ajo punoi gjithashtu si fotoreportere në vitet 1970, duke shënuar një intervistë të lakmuar me liderin kuban Fidel Castro dhe u bë një skulptore e shkëlqyer.

Italia shpalli zgjedhje të parakohshme për shtatorin pasi kryeministri Mario Draghi njoftoi dorëheqjen e tij muajin e kaluar dhe presidenti Sergio Mattarella shpërndau parlamentin pasi fillimisht kundëërshtoi dorëheqjen e Draghit.

Ish-partnerët e koalicionit të ish-kryeministrit në qeveri kishin tërhequr mbështetjen e tyre, duke vënë theksin te rritja e kostos së jetesës mes depresionit ekonomik të shkaktuar nga politikat e kontrollit të Covid-19 dhe mbështetja për armatosjen e Ukrainës, e cila është thellësisht e papëlqyeshme në mesin e italianëve.

Përgatiti për Hashtag.al, K.Manjani