Vendosni fjalën kyçe....

Çmimet rekord, Sejko: Banka e Shqipërisë rrit me 0.5% normën e interesit


Në një konferencë për mediat ditën e sotme, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko njoftoi rritjen për herë të 3 brenda 4 muajsh të normës bazë të interesit për shkak të çmimeve të larta, që pritet të kulmojnë në këtë periudhë të mbetur të vitit.

Vendimi është marrë nga Këshilli Mbikëqyrës i bankës qendrore, pasi inflacioni është vlerësuar rrezik kryesor për ekonominë e vendit.

“Duke gjykuar mbi sa më sipër, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vazhdon të vlerësojë se nivelet e larta të presioneve inflacioniste janë rreziku primar mbi rritjen e qëndrueshme dhe afatgjatë të vendit.

Për këtë arsye, në respektim të objektivit të stabilitetit të çmimeve, Këshilli Mbikëqyrës vendosi:

të rrisë me 0. 5 pikë përqindjeje normën bazë të interesit, nga niveli 1.25% në nivelin 1.75%;

të rrisë me 0.5 pikë përqindjeje normën e interesit të kredisë njëditore, nga niveli 2.25% në nivelin 2.75%;

të rrisë me 0.5 pikë përqindjeje normën e interesit të depozitës njëditore, nga niveli 0.25% në nivelin 0.75%.

Në gjykimin e Këshillit, normalizimi i politikës monetare do të krijojë kushte më të përshtatshme për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe kthimin e inflacionit në objektiv brenda horizontit afatmesëm. Në të njëjtën kohë, politika monetare do të vijojë të mbetet në kahun akomodues gjatë gjithë procesit të normalizimit dhe nuk do të cenojë premisat e rritjes ekonomike.”- njoftoi guvernatori.

Sejko theksoi se inflacioni pritet të nisë uljen përgjatë vitit 2023, por në varësi të situatës së çmimeve në tregjet e huaja duke nënvizuar se lufta në Ukrainës ishte faktori kryesor i tronditjes së tregjeve.