Vendosni fjalën kyçe....

Arbër Zaimi i Vetëvendosjes nxjerr tabelat: Masakër elektoral, votat e Boiken Abazit janë asgjësuar në mënyrë të orkestruar


Aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Zaimi, ka publikuar dy tabela krahasuar duke pretenduar se votat e kandidatit të pavarur në zgjedhjet e 25 prillit Boiken Abazi janë shënjestruar dhe asgjësuar sistematikisht në mënyrë të orkestruar.

Ai e quan këtë gjë një masakër elektorale ndërsa sjell si shembull diferencën në vota mes Abazit dhe PSD-së në Tiranë.

Diferenca sipas Zaimit, në njësinë 10 ku çdo gjë është bërë elektronikisht është shumë e vogël, ndërsa në njësitë e tjera është katërfishuar.

Zaimi thekson se ka ardhur koha që të vlerësohen vjedhësit e votave.

“Prova më evidente: krahasoni Njësinë 10 me të tjerat. Shihni dallimin mes votave të Boiken Abazit dhe PSD në 11 zonat urbane në Tiranë, dhe bëni krahasimin mes Njësisë 10 ku pati votim e numërim elektronik, dhe njësive të tjera, ku kanë administruar procesin komisionerët e partive. Kjo është prova më evidente e masakrës elektorale. Aty ku administrimi ka qenë jo në dorën e partive, dallimi ka qenë vetëm 13.9%. Tek zonat fqinjë me Njësinë 10, diferenca në përqindje ka qenë së paku katërfish më e madhe e së shumti shtatëfish. Vota për kandidatin e pavarur është targetuar dhe asgjësuar sistematikisht, në mënyrë të orkestruar dhe me koordinim. Duhet pushuar së thëni për vjedhësit “bravo u qoftë”.” – shkruan Zaimi.