Vendosni fjalën kyçe....

Media shtetërore e Kinës kërcënon se do ‘godasë’ aeroplanin e Pelosit nëse ajo fluturon me eskortë ushtarake


Shtëpia e Bardhë ka kundërshtuar të komentojë një kërcënim nga një figurë e medias shtetërore kineze, e cila tha se ushtria kineze duhet të ‘godasë’ një aeroplan që mbante kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, nëse ajo do të vizitonte Tajvanin me një eskortë ushtarake.

“Për atë që lidhet me udhëtimet e kryeparlamentares, është diçka për të cilën ne thjesht nuk do të flasim. Tani për tani kjo është hipotetike.” – tha sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Karine Jean-Pierre më 29 korrik.

Komentet e Jean-Pierre u bënë në përgjigje të një pyetjeje në lidhje me pozicionin e Shtëpisë së Bardhë ndaj komenteve të fundit të bëra nga Hu Xijin, ish-kryeredaktori i medias Global Times të kontrolluar nga Partia Komuniste Kineze.

Hu sugjeroi që ushtria e Kinës, Ushtria Çlirimtare Popullore (PLA), duhet të përdorë forcën kundër Pelosit nëse ajo viziton Tajvanin me mbrojtjen ushtarake të SHBA-së.

“Nëse avionët luftarakë të SHBA-së shoqërojnë avionin e Pelosit në Tajvan, është pushtim.” – tha Hu në një postim në Twitter.

“Ushtria ka të drejtë të shpërndajë me forcë aeroplanin e Pelosit dhe avionët luftarakë amerikanë, duke përfshirë të shtëna paralajmëruese dhe lëvizjen taktike të pengimit. Nëse janë joefektive, atëherë rrëzojini ato.”

Komentet e Hu ishin vetëm të fundit në një listë në rritje të retorikës luftarake që buronte nga Pekini dhe zëdhënësit e tij të ndryshëm.

Në maj, sekretari i mbrojtjes i Kinës kërcënoi se do të fillonte një luftë “pa marrë parasysh koston” për të parandaluar që pavarësia de fakto e Tajvanit të njihet ndërkombëtarisht.

Po kështu, udhëheqësi komunist kinez Xi Jinping kërcënoi presidentin Joe Biden në një telefonatë të enjten, duke paralajmëruar se Shtetet e Bashkuara po ‘luanjnë me zjarrin’ për çështjen e Tajvanit. Saga vjen mes raporteve se Pelosi po planifikonte një vizitë personale në Tajvan, e cila ishte planifikuar më parë në prill.