Vendosni fjalën kyçe....

6 ditë vendimtare për maturantët, ministrja Kushi publikon datat e aplikimit në U-Albania për programet e studimit


Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi ka publikuar sot datat e aplikimeve që do të bëjnë maturantët nga portali U-Albania për të zgjedhur degët e studimeve që do ndjekin.

Kështu duke nisur nga sot, data 29 korrik deri më 3 gusht portali U-Albania do të jetë i hapur për të gjithë maturantët që të bëjnë zgjedhjet e tyre.

Në mesazhin e saj, ministrja Kushi i inkurajon studentët që të mbështeten në prirjet dhe pasionet e tyre, por gjithashtu që të konsultohen edhe me mësuesit e prindërit.

“Të dashur maturantë,

Ja ku erdhi momenti që ju të merrni vendimin final për programin ku do të vijoni studimet e larta.

Duke filluar nga sot e deri në datën 3 gusht, portali U-Albania do të jetë i hapur për ju që të bëni aplikimet.

Ju sugjeroj që të mbështeteni në prirjet dhe pasionet tuaja, por gjithashtu të konsultoheni edhe një herë me mësuesit dhe prindërit, në mënyrë që të bëni zgjedhjen e duhur dhe të rrisni më shumë mundësitë për të fituar programin më të përshtatshëm për ju.

Do t’ju ftoja që të keni në vëmendje maksimale edhe programet e studimit që ne i kemi cilësuar si prioritet kombëtar. Siç e dini, këto programe lidhen me disa fusha të shkencave humane, mësuesisë, shkencave natyrore, inxhinierisë, bujqësisë dhe shërbimeve. Studentët ekselentë dhe ata që zgjedhin programet prioritare do të përfitojnë përjashtim nga tarifat dhe bursa mujore me vlerë sa paga minimale, sipas parashikimeve të VKM-së Nr. 386 të miratuar në qershor të këtij viti.”- shkruan ministrja.

Kushi gjithashtu nuk ka lënë pa bërë edhe një ftesë për të rinjtë dhe të rejat nga Kosova, të cilët sipas marrëveshjes së nënshkruar me Kosovën, mund të aplikojnë për të ndjekur studimet e larta në universitetet tona, me të drejta të barabarta njësoj si studentët në Shqipëri. Ajo u uron suksese studentëve.