Vendosni fjalën kyçe....

Ndizet përplasja e Gazhelit me News 24 pas reagimit nga opozita: Hysnebelliu ka marrë me qira kioskën e PD-së


Përplasja mes News 24 dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Doganave, Gentian Gazheli, i është bashkuar edhe opozita çka ka çuar në një ndezje të akuzave të ndërsjella dhe dalje në sipërfaqe edhe të akuzave nga brenda sistemit të doganave.

Ndërkohë që News 24 pasi publikoi lajmet se në dogana promovohen persona të ndaluar për kontrabandë në Greqi ka publikuar edhe një email nga shefi i Anti-kontrabandës Detare i cili në vitin 2021 i është drejtuar me një shkresë zyrtare Genti Gazhelit për situatën e korrupsionit kapilar në dogana.

Sot i është bashkuar edhe Partia Demokratike akuzave për Drejtorin e Përgjithshëm të Doganave duke e akuzuar atë për lejimin e korrupsionit në të gjitha nivelet.

Vetë Gazheli ka reaguar ndaj akuzave të PD-së duke thënë se vetë pronari i News 24 ka marrë me qira stendën e PD-së për të nxjerrë akuza përditë kundrejt tij.

Madje Gazheli shkruan se Irfan Hysenbellu përdor PD-në si kioskë tellallësh, ndërsa nuk le pa shigjetuar edhe Partinë e Lirisë duke aluduar se Meta bashkëpunonte me ish-sigurimin e shtetit.

Mesa duket Irfan Hysenbelliu ka marrë me qira stendën e Partisë Demokratike, ku lloj-lloj karagjozësh si puna e këtij halldupit të shokut Rustem dalin përditë me akuza idiote kundër meje! Idiotësitë që pastaj mediat e lira të zotit Irfan i ripërtypin si lopë të çmendura.

Ndërkohë s’kanë asnjë kurajo të publikojnë asgjë nga përgjigjet dhe dokumentet zyrtare që hedhin poshtë shpifjet dhe shantazhet ordinere të Fanes! Një evazor shembullor që ka shumë llogari të hapura me ligjin fiskal, jo vetëm me Doganën Shqiptare, përdor Partinë Demokratike si kioskë tellallesh. Se atë Partinë e Lirisë e ka pasur gjithmonë si oficer që ka qenë kur shoku Ilir bashkëpunonte me strukturat ligjzbatuese të komunizmit”-shkruan Gazheli.

Letra e zyrtarit të Doganës mbi lejimin e kontrabandës në pikat doganore

Në shkresën për informim që mban datën 12 mars 2021 thuhet se në dy vite është shkatërruar një punë 2 vjeçare në Dogana. Ai tregon edhe mënyrën se si bëhet kontrabanda në Shqipëri duke nisur nga pikat kryesore kufitare.

“Pikë së pari Ju informoj dhe Ju bëj me dije se grupet e Antikontrabandës Tokësore sidomos ato të Kakavijës, Kapshticës, Tiranës dhe të Durrësit dy javët e fundit të muajit dhjetor 2020, kanë përfituar nga aktiviteti kriminal kontrabandist shuma që variojnë nga 15-20 mijë euro në javë, për tu ndarë më pas kjo shumë sipas piramidës. Imagjinoni pak se sa kanë përfituar përgjegjësit e turneve dhe kryetarët e doganave ??!!”, thuhet në letër.

Zyrtari i Doganave i tregon me hollësi skemat e kontrabandës në Dogana.

“Në pikën doganore Kapshticë e njohur më së shumti për “golat” gjatë ditës dhe “gomat e përdorura” gjatë natës, mallrat me origjinë kineze, atletet, veshmbathjet etj, janë bërë tashmë të rëndomta. Shprehja “i paguhen prurësit me të parë” duket se është bërë ekskluzivisht për këtë pikë doganore. Durrësi me portin e tij është kthyer han me porta të shqyera pasi Monitorimi, Informacioni, Antikontrabanda, Hetimi Doganor duket se janë kokë e këmbë të dashuruar me doganierët lakmitarë e të dashuruar pas eurove, ndryshe s’ka si shpjegohet që askush nuk kthen për kontroll qoftë edhe një mjet sado i parëndësishëm qoftë. Furgonat anglezë dalin plumb dhe autobusët e linjave nuk kontrollohen fare, pasi përndryshe të paktën një gjobë do e vendosnin”.

Ulëritëse e quan situatën në pikën doganore të Tiranës përgjegjësi i antikontrabandës detare.
“Pika doganore Tiranë, këtu fillon dhe ulëret Sistemi Doganor nga shartimi injorancës me korrupsionin, nga pazaret e ndyra gjoja për hir të partisë, deri tek obligimet për vendet e punës. Ndryshe s’ka si shpjegohet që aparaturat e Bitcoin dalin si servera të thjeshtë, apo kontejnerët me çorape dhe mallra kinez të ikin ditën për diell dhe nganjëherë edhe natën për pak hënë. Jo më kot ju z.Drejtor dërguat në pikat kyçe persona me njohuri dhe vjetërsi zero në sistemin doganor në pozicionet ku duhet të ishin specialistët e vërtetë, ku për hir të vërtetës ata nuk mungojnë në sistemin doganor”.

Përgjegjësi i anti kontrabandës detare e konsideron mjaft të rëndë situatën në të cilën gjendet ky sektor në periudhën që drejtohet nga Genti Gazheli.

“Ju siguroj që asnjëherë, po asnjëherë Drejtoria e Antikontrabandës nuk është katandisur në këtë situatë, si ç ‘është në këtë periudhë. Ju garantoj se jam i gatshëm të ballafaqohem në gjykatë apo prokurori me këdo dhe kurdo për vërtetësinë e sa shpreh më lart”, vijon më tej letra.
Ndërkohë në ditët në vijim Neës 24 do të paraqesë një dosje të plotë në lidhje me të ashtuquajturat magazinë fiskale virtuale të miratuara nga Genti Gazheli, një praktikë kjo që nuk njihet nga legjislacioni doganor shqiptar dhe që krijon mundësi të mëdha të evazionit fiskal dhe mosvjeljen kurrë të detyrimeve doganore.