Izraeli nuk ka plane të ndajë vendin e shenjtë të Malit të Tempullit në Jerusalem midis hebrenjve dhe myslimanëve, tha të dielën ministri i Jashtëm izraelit Yair Lapid, duke u kërkuar liderëve myslimanë të shtojnë luftën kundër ‘lajmeve të rreme’.
Mali i Tempullit është vendi më i shenjtë në judaizëm dhe njihet në botën islame si kompleksi i Xhamisë Al-Aksa, vendi i tretë më i shenjtë për myslimanët.
Mes përleshjeve të dhunshme të fundit midis palestinezëve dhe policisë izraelite si dhe kritikave të përhapura për trajtimin e situatës nga autoritetet, u përhapën zëra në mediat sociale se Izraeli dyshohet se po përpiqej të ndante vendin e shenjtë në dy pjesë.
Megjithatë, gjatë një konference për shtyp, Lapid u detyrua të ripohojë angazhimin e Izraelit për të ruajtur status quo-në në Malin e Tempullit dhe për të parandaluar provokimet si nga palestinezët ashtu edhe nga hebrenjtë.
“Izraeli është i përkushtuar ndaj status quo-së në Malin e Tempullit. Myslimanët luten në malin e tempullit, jomuslimanët e vizitojnë vetëm. Nuk ka ndryshim, nuk do të ketë ndryshim”, theksoi ministri.
Duke postuar në Twitter më vonë, Lapid ripohoi se ‘nuk ka ndryshim, nuk do të ketë ndryshim, ne nuk kemi plane për të ndarë Malin e Tempullit midis feve’. Ai u bëri thirrje gjithashtu muslimanëve të moderuar dhe vendeve islamike ‘të ndërmarrin veprime kundër lajmeve të rreme’ dhe të bashkëpunojnë me Izraelin për hir të ‘ruajtjes së status quo-së dhe qetësimit të erërave’.
Mali i Tempullit ndodhet në Jerusalemin Lindor, i cili është pushtuar nga Izraeli që nga viti 1967. Shteti hebre është përgjegjës për sigurinë në vend.
Vitin e kaluar, një shpërthim atje provokoi konfliktin më të keq midis Izraelit dhe Hamasit në pothuajse një dekadë. Shkëmbimi 11-ditor i zjarrit ndërmjet palëve në maj, sipas OKB-së, rezultoi në vrasjen e më shumë se 250 personave në Gaza, duke përfshirë 66 fëmijë dhe 13 persona në Izrael, me dy fëmijë mes tyre.