Vendosni fjalën kyçe....

Berisha kalon te Veliaj: Shkeli çdo ligj për mega-aferën e djegësave


Kreu i PD-së Sali Berisha në një konferencë për mediet, vijoi denoncimet në lidhje me aferën tek Inceneratorët.

Pas akuzave për kryeministrin Edi Rama, të cilin e konsideroi si kreun e kësaj afere, Ëngjëll Agaçit dhe Arben Ahmetajt, Berisha u ndal dhe tek kryebashkiaku Erion Veliaj.

Berisha tha se afera vetëm për Inceneratorin e Tiranës ka shkuar në 283 milionë Euro, ndërsa akuzon Veliajn se s’ka lënë ligj pa shkelur për të realizuar këtë aferë.

“Madhor në këtë aferë është kreu i Bashkisë së Tiranës është Erion Veliaj.

Thashë edhe njëherë, djegësi i Tiranës shkon në 283 milionë euro.

Erion Veliaj nuk ka lënë ligj pa shkelur për të bërë realitet vjedhjen monstruoze me Edi Ramën.

Ndaj gazetarë, ju bëj thirrje, harrojeni fjalën korrupsion, por të përdorim fjalën vjedhje, se ky është përkthimi i saktë i kësaj fjale në gjuhën shqipe.

Për të vjedhur Erion Veliaj, një vepër për të cilën duheshin firmat e të gjitha bashkive të qarkut të Tiranës, e ka firmosur vetëm ai, në kundërshtim me çdo ligj. I papërmbajtur në vjedhje.

Pa pyetur Këshillin Bashkiak, ai firmos për financimin prej 90 milionë euro të djegësit të Tiranës. Ai firmos edhe penalitete për bashkitë e tjera, nëse nuk u përgjigjen me ngarkesat e plehrave kompanisë së tij dhe Edi Ramës.

Erion Veliaj, prej pesë vitesh, u merr qytetarëve të Tiranës, pa TVSH, 28 euro për ton mbetjesh. Në një kohë kur kontrata e firmosur me kompaninë Gugalja-Rama-Veliaj, thotë se plehrat për depozitim do paguhen me 12 euro toni.

Gjer sot, as edhe një ton nuk është djegur, pasi djegësi nuk ekziston. Por në këto 5 vite, Erion Veliaj dhe Edi Rama kanë plaçkitur shqiptarët e kësaj zone, duke i detyruar të paguajnë për çdo ton të depozituar në fushën e Sharrës, minierën e tyre të floririt, 28 euro pa TVSH.”– tha Berisha.